Të dashur banorë të komunës së Zhelinës,
Dje ishte dita e edukatorit të kombit, dita e arsimit dhe arsimtarëve! Për ne si Lëvizje BESA kjo ditë paraqet kujtesën më të bukur të të kaluarës sonë të lavdishme edukative, arsimore dhe kulturore.
Duke e patur parasysh këtë vlerë të çmuar kombëtare, ne e kemi patjetër që t’i ruajmë këta vlera. Me keqardhje të madhe reagojmë kundër secilit që kontribon në dëmtimin dhe shkatërrimin e arsimit shqip e sidomos atij në komunën e Zhelinës.
Ne kurrë nuk kemi dëshiruar që të shtrembërojmë të vërtetën, e as që kemi dëshiruar që të mbjellim urrejtje, mirëpo, i vjen mirë dikujt apo jo, ne e kemi patjetër të zbardhim të vërtetat për gjendjen e arsimit në komunën e Zhelinës.
Shumë të dashur prindër të nxënësve në komunën tonë, në foto i keni kryetarin aktual të komunës së Zhelinës z.Fatmir Izairi bashkë me drejtorët e shkollave fillore në komunën e Zhelinës dhe tre administratorë komunal (njëri pregatitet që tani si bartës liste në zgjedhjet lokale). Sidoqoftë, përmes kësaj fotoje mund të shihni më së miri nga vetë dora e kryetarit të komunës, se të gjithë drejtorët në foto janë aktivistë të përbetuar të BDI-së në këtë komunë. Përveç kësaj, ajo që është më e dhimbshme tregon fakti se njëri nga këta drejtorë (vazhdon të jetë ende) është Kryetar i Degës së BDI-së në komunën e Zhelinës. Pra, duke qenë kryetar Dege dhe kryetar Shtabi komunal në zgjedhjet e fundit, ai në të njëjtën kohë ishte edhe Drejtor shkolle.
Tani, të dashur banorë të komunës së Zhelinës, ju lëmë që ju vetë të vlersoni se në çfarë mase e kanë dëmtuar arsimin shqip këta burra që në foto dalin si shpëtimtar të arsimit, e jo si shkatërrues të tij. Vlersoni vetë, se çfarë arsimi kemi në një vend ku punëdhënësi është kryetar Dege i një partie. Vlersoni tani se sa liri mendimi dhe veprimi mund të kenë arsimtarët të cilët mundihen të ushtrojnë detyrën e tyre objektivisht dhe profesionalisht. Vlersoni vetë, se çfarë kushtëzimesh mund të kenë arsimtarët, prindërit dhe nxënësit. Vlersoni vetë se çfarë pasojash psikologjike ju mbjellim fëmijëve duke i mësuar me një Drejtor politikan.
Kjo garniturë në foto, ende nuk e ka kuptuar (si dhe shumë ithar tjerë të tyre) se investimi në arsim nuk është vetëm duke ndërtuar mure të shkollave, porse në cilësinë që zhvillohet brenda mureve të saj. Ju ende nuk keni hyrë brenda! Fatkeqësisht ende jeni jashtë!
Lëvizja BESA
Dega e Komunës së Zhelinës