05 March
BDI-ja akoma nuk e ka konkretizuar planin për hetimet që do të kryej brenda subjektit, për të cilën u vendos në takimin e fundit të kryesinë qendrore të partisë së Ahmetit. Nga kjo parti thonë se Departamenti juridik kërkon mekanizma të mundshme juridike por një nga format është edhe formimi i një institucioni të veçantë me monitorim ndërkombëtar që do të hetojë veprimtarinë e çdo funksionari nga viti 2002 gjer më sot, për çdo keqpërdorim eventual të besimit partiak dhe detyrës zyrtare.
Ne do të insistojmë që të gjendet formë juridike, nëse duhet edhe të formohet institucion i veçantë me monitorim ndërkombëtar që do të hetojë veprimtarinë e BDI-së që nga themelimi i saj, deri më sot, me qëllim të zbardhjes së gjitha akuzave dhe propagandave, qofshin ato financiare apo politike. Departamenti juridik i partisë, është i obliguar që të gjejë formë juridike për realizimin e vullnetit politik të kryesisë qendrore dhe kryetarit të partisë – thuhet në komunikatën e BDI-së.
BDI-ja vlerëson se ky hap është i nevojshëm për të pastruar të gjitha dilemat për strukturat e saj.
Ne nuk do të lejojmë që asnjë njollë të ngelet në atë lëvizje dhe do të luftojmë tentimet e propagandës së huaj dhe të brendshme për të njollosur këtë lëvizje –theksohet në komunikatën e BDI-së.
Vetë kreu i BDI-së Ali Ahmeti, kohë më parë deklaroi se është momenti që e vërteta të dalë në shesh.
Janë momente vendimtare që e vërteta të dalë në shesh. Kanë mbaruar më edhe energjitë brenda partisë, përfshirë këtu mua personalisht, energjitë për të kontrolluar durimin. Sepse duhet të kesh edhe energji për të kontrolluar durimin. Të akuzohesh për kriminel, për vrasës, për miliona euro, keqpërdorime… – deklaroi Ali Ahmeti, në “Emisionin Zig Zag”
Edhe pse fillimisht BDI-ja tha që kjo do të mund të realizohej më mirë duke qenë ata në opozitë, partia e Ahmetit së fundmi vendosi të jetë pjesë e koalicionit të ardhshëm qeveritar.
Fatlume Dervishi