05 March
Çarshia e Vjetër e Shkupit vazhdon të ruajë me fanatizëm traditën zejtare dhe kulturën mikpritëse të popullatës vendase, të trashëguar për breza me radhë. Zejtarët që me punën e tyre e mbajnë gjallë Çarshinë, rrëfejnë me nostalgji kujtimet kur rrugët me kalldërma ishin përplot me vizitorë vendas e të huaj. Ata thonë se prania e vizitorëve ka rënë për shkak të krizës politike, krizës ekonomike dhe asaj të sigurisë në vend.
Normalisht kur ka kriza, kur ka protesta edhe turistët pakësohen. Nëse nuk ka siguri, atëherë frikësohen, pse të shkojnë të harxhojnë mjete në një vend ku ka rrezik – tha Bejtulla Morina, kryetar i shoqatës së zejtarëve “Esnafi”.
Nuk ka popull fare, myshteri s’ka, më dobët është. Kam pasur më shumë, jam i sigurt… edhe në kohën e luftës madje ka pasur më shumë – tha një rrobaqepës.
Shihet që ka ndikuar kriza ekonomike jashtëzakonisht shumë. Unë e kam përjetuar edhe rastin e Kumanovës vitin e kaluar, ishte një krizë e madhe dhe në të vërtetë ato muaj nuk kishte punë – tha një tjetër rrobaqepës i veshjeve kombëtare.
Një pjesë e zejtarëve uljen e numrit të vizitorëve të çarshisë ia adresojnë hapjes së qendrave të ndryshme tregtare në vend, motit të ftohtë dhe konkurrencës jolojale. Ata theksojnë se te turistët e huaj është vërejtur simpati e veçantë për çarshinë, por infrastruktura e jo e mirë i largon ato nga kjo pjesë e kryeqytetit.
“Këtu në dyqan jemi më se 30 vjet. Çarshia ishte më e gjallë, kishte më shumë lëvizshmëri, të rinjtë shëtisnin këtu nëpër Çarshi”.
“Problemi për mos ardhjen e qytetarëve këtu në Çarshi është edhe në parkingje, nuk kemi vende të mjaftueshme parkimi për vizitorët që të vijnë”.
“Ka disa mungesa, si p.sh. parkingjet, çezmet, ujë nuk ka… vijnë turistë e myshteri, po t’u pihet ujë nuk ka” – u shprehën disa tregtarë të Çarshisë.
Çarshia e Vjetër ishte ndër qendrat e para dhe më të mëdha në Ballkan. Ajo u dëmtua nga tërmetet e viteve 1555 dhe 1963, sidhe nga dy luftërat botërore. Pas rindërtimit të disa objekteve arkitekturës osmane dhe bizantine iu shtuan edhe elemente të arkitekturës moderne. Në vitin 2008 ajo u përfshi nën mbrojtjen ligjore si objekt i trashëgimisë së veçantë kulturore. Dy vite më vonë qeveria filloi një projekt për revitalizimin e Çarshisë, por ky projekt akoma nuk është realizuar në tërësi.
Anesa Aliti