05 March
Për autoritet e Maqedonisë, Shqipëria edhe më tej mbetet Republika Popullore e Shqipërisë. Në vendkalimin kufitar Shën Naum, disa tabela rrugore ende nuk janë ndërruar dhe mbajnë mbishkrimet e kohës së komunizmit. Pavarësisht se Alsat M që para një viti njoftoi për një situatë të tillë, institucionet kompetente nuk kanë denjuar ende të përmirësojnë gabimin. Punonjësit turistik thonë se mbishkrimet e tilla iu duken qesharake edhe turistëve që vizitojnë këtë rajon.
Me siguri janë harruar dhe me protokoll nuk janë ndërruar. Duhet të ndërrohen, të gjithë e dimë se duhet të ndërrohen si respekt ndaj shtetit fqinj. Nëse kemi nga Shqipëria respekt ku shkruan Republika e Maqedonisë, që nesër duhet të ndërrohet shenja. Pyesin dhe qeshin me shenjën. Në Qafë Thanë shkruan Qafë Thanë me “q” edhe me shkrim latin edhe cirilik dhe kjo është qesharake – thotë Lupço Juzmeski, ciceron turistik nga Ohri.
Edhe pse Shqipëria prej disa vitesh tashmë është anëtare e NATO-s ndërkohë që periudha e Enver Hoxhës ka përfunduar para disa dekadash, për Maqedoninë siç duket ka ndaluar koha në këtë vendkalim kufitar. Përveç ndërrimit të tabelave, agjencitë turistike kërkojnë edhe riparimin e rrugës ndërkombëtarë që çon drejt kufirit shqiptar e cila është në gjendje të keqe.
Duhet të riparohet rruga deri atje sepse është shumë e keqe, por të ndërrohen edhe tabelat. Shpesh grupet që i udhëheqim deri atje gjegjësisht të huajt, qeshin. Qeshin dhe pyesin pse nuk e kemi ndërruar këtë pjesë dhe pse ende qëndron ashtu – tha Dragana Risteska, agjente turistike nga Ohri.
Autoritet rrugore një vit më parë u arsyetuan se tabelat rrugore drejt Shqipërisë, ende nuk janë ndërruar pasi përgatitej dokumentacioni teknik për ndërtimin e një rruge të re nga Ohri deri në kalimin kufitar Shën Naum.
Miki Trajankovski