Gjykata Themelore Shkupi 1, më saktësisht gjykatësin e procedurës paraprake, kanë sjellë vendim në lidhje me rastin më të ri të Prokurorisë Speciale, duke refuzuar njërën nga kërkesat e kësaj prokurorie, shkruan SHENJA.
Në kuadër të rastit “Trust”, në të cilin Prokuroria Speciale shpalosi dyshimet për veprime të jashtëligjshme dhe falsifikim të dokumenteve, nëpërmjet të cilave është bërë e mundur që të fitohen tenderë në vlerë prej 1 miliardë e 60 milionë denarë. Fillimisht prokuroria Speciale kërkoi masën e paraburgimit për dy persona fizik, mirëpo siç njoftojnë nga gjykata, prokuroria ka ndryshuar kërkesën për njërin nga të akuzuarit, duke kërkuar shqiptimin e masave të kujdesit.
“Sa i përket personit S.K., pas shqyrtimit dhe vlerësimit të fakteve dhe provave të parashtruara në kërkesën e prokurorisë për paraburgim, gjykatësi i procedurës paraprake vendosi që të mos e pranojë kërkesën e Prokurorisë Speciale”, thuhet në kumtesën e gjykatës.
Ndërkohë, për personin B.A, Prokuroria Speciale paralajmëroi se do të kërkojë masën e paraburgimit, ndërsa gjatë seancës, kjo prokurori ka tërhequr këtë kërkesë, duke parashtruar kërkesë për shqiptimin e masave të kujdesit.
“Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të fakteve dhe provave nga ana e gjykatësit të procedurës paraprake, u vendos që kërkesa e prokurorisë të pranohet, duke vendosur masat: Ndalesë për krijimin apo mbajtjen e kontakteve me persona të caktuar dhe Ndalesë për të ndërmarrë aktivitete që ndërlidhen me veprën kriminale”, qëndron në kumtesën e gjykatës.
Për rastin e parë, palët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë në afat prej 24 orëve, ndërsa në lidhje me vendimin e dytë, palët mund të parashtrojnë ankesë brenda 3 ditëve. /SHENJA/