Deputetja Mesila Doda i kërkoi Shqipërisë dhe Kosovës që të bashkohen në përpjekjet për mundësimin e referendimit të Iliridës, siç e quajti territorin etnik të Shqipërisë Lindore që ndodhet në shtetin e sotëm të maqedonasve.
Zonja Doda tha se “shteti shqiptar dhe ai i Kosovës të bashkërendojnë veprimet për të ndihmuar mbajtjen e referendumit nga shqiptarët e Iliridës, për të shpallur mëvetësinë e tyre”.
Ajo është deputete e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet në aleancë qeveritare me socialistët e kryeministrit Edi Rama.
Zonja Doda i bëri deklaratat në seancën plenare të Kuvendit në Tiranë paradreken e së enjtes.
Për deputeten Doda, detyra e të zgjedhurve shqiptarë në Shqipëri është që të ndreqin punët për të ndihmuar bashkëatdhetarët jashtë shtetit politik të Konferencës së Londrës 1913.
“Sot ky Kuvend do duhej të ishte i mbledhur i gjithi bashkë me një qëndrim unik dhe një çështje themelore; Çështja e shqiptarëve të Maqedonisë”-tërhoqi vëmendjen ajo.
Zonja Doda thekson se ky është detyrim kushtetues i Shqipërisë, që pavarësinë e shpalli sipas vendimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në 10 Qershor 1878 dhe/në Kuvendin e Vlorës më 28 Nëntor 1912.
Qëndrimi i deputetes Doda u bë pasi presidenti i shtetit të maqedonasve Gjorgji Ivanov nuk pranoi të mandatojë opozitarin socialdemokrat Zoran Zaev që të krijonte qeverinë pasi mori mbështetjen e 67 deputetëve shqiptarë etnikë dhe maqedonas.
“Presidenti Ivanov është veçse një albanofob, i cili ka shpallur armiq 800 mijë shqiptarë, ndaj duhet shpallur non grata në Shqipëri dhe Kosovë”-tha deputetja e PDIU-së.
Fjala e plotë e mbajtur në Kuvend nga deputetja Mesila Doda:
Të nderuara zonja deputete, zotërinj deputetë,
Sot ky Kuvend do duhej të ishte i mbledhur i gjithi bashkë me një qëndrim unik dhe një çështje themelore; Çështja e shqiptarëve të Maqedonisë.
Presidenti George Ivanov sot ka nënshkruar zyrtarisht fundin e Republikës së Maqedonisë, këtij shteti të sajuar në zyra burokratësh e që është e vështirë ta quash edhe eksperiment, pasi është eksperiment i konceptuar keq dhe i realizuar edhe më keq. Paradoksalisht, Presidenti albanofob refuzoi qeverinë e Zoran Zaev, vetëm e vetëm sepse kjo platformë qeverisëse shpallte gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, kusht ky i parashikuar qysh në krye të herës në Marrveshjen e Ohrit dhe kurrë e zbatuar.
Të nderuar kolegë,
Kemi qenë së bashku në këtë sallë, kur kam kërkuar ndërhyrjen urgjente të shtetit shqiptar për të siguruar të drejtat e shqiptarve të Maqedonisë, të asaj krahine që sot, nga kjo sallë po e quaj me emrin e saj të vërtetë Ilirida.
Shqiptarët e Iliridës kanë duruar masakra, vrasje, djegie shtëpish, bombardime ditën për diell nga shteti eksperimental, i cili do duhej teorikisht t’i mbronte. Kanë duruar diskriminimin, dhunën dhe përbuzjen dhe përsëri kanë dashur bashkëjetesën, sepse kanë zgjedhur që të jëtojnë edhe me të ndryshmin e tyre. Në vend të këtij qëndrimi më shumë se njerëzor, sot kanë marrë shuplakën e Ivanovit që shpalli armiqësinë me 800 mijë shqiptarë të Iliridës.
Sot, ata kanë vetëm dy rrugë: ose Presidenti Ivanov jep dorëheqjen si ekstremist i dhunshëm me qëndrime shoviniste antikushtetues, ose forcat politike të shqiptarëve duhet të mblidhen të gjitha bashkë dhe të shpallin mëvetësinë e Iliridës.
Shqiptarët atje janë sot të lënë në varfëri, injorancë dhe mundohen të trajtohen si ekstremistë islamikë. Kësaj fytyre të keqe, ne sot duhet t’i kundërvëmë drejtësinë, qytetarinë dhe bashkimin me një kauzë të vetme.
Kjo që ju them sot nuk është thirrje nacionaliste, është kërkesë e Kushtetutës sonë që të interesohemi për të drejtat e bashkombasve tanë kudo, ku ata jetojnë. E nëse i kanë lënë të jetojnë në një shtet që nuk i konsideron, që nuk i trajton si qytetarë dinjitozë, atëherë ata nuk meritojnë të lihen vetëm në fatin e tyre tragjik.
Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës duhet të kërkojnë urgjentisht mbledhjen e përbashkët të tryezës së forcave politike dhe të ndihmojnë vëllezërit e tyre që sot ndodhen në zgrip, prej goditjes më të ashpër që i ka ardhur nga kreu i shtetit, jo vetëm ndaj tyre, por edhe ndaj kancelarive botërore e që sot për Shkupin nuk kanë më asnjë domethënie.
Pikërisht, për këtë arsye sot do duhet të veprojmë kombëtarisht. Shkelim Kushtetutën tonë, nëse i lëmë vetëm shqiptarët e Iliridës. Do jemi dyfish të dënuar, nëse nuk përgjigjemi në mënyrë të menjëhershme dhe me po aq forcë sa aktet diskriminuese e fyese të një Presidenti që vret shtetin e vet.
Gjeorgje Ivanov duhet të shpallet person “non grata” në gjithë hapësirën shqiptare.
Shteti shqiptar dhe ai i Kosovës të bashkërendojnë veprimet për të ndihmuar mbajtjen e referendumit nga shqiptarët e Iliridës, për të shpallur mëvetësinë e tyre.
Ne jemi një komb! Askush nuk na e fal më të lëshojmë territore për të mbajtur pushtete.