Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dënoi ashpër rrahjen e ekipit të portalit “A1On” në protestat e iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët” dhe gishtin për këtë sulm e drejtoi kah VMRO DPMNE-ja dhe Nikolla Gruevski. Naser Selmani sot takoi ministrin e brendshëm Agim Nuhiu të cilit iu ankuan për sulmin dhe kërkuan zbardhjen e menjëhershme të rastit dhe kapjen e autorëve. Selmani tha se i është ankuar Nuhiut për një sërë rastesh të sulmeve ndaj gazetarëve që edhe sot e kësaj dite nuk janë zbardhur.
“Kur ju në kontinuitet për 6 vjet teksa jeni kryeministër toleroni dhunën ndaj gazetarëve, bile edhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë qeveritar të lartë sulmojnë gazetarët dhe kryeministri nuk distancohet nga kjo dhunë dhe nuk bën asgjë për ti ndëshkaur dhunuesit. Kjo në një mënyrë na bën neve të dyshojmë se pas gjith kësaj fushate të dhunshme ndaj gazetarëve dhe mediave në Maqedoni qëndron Nikolla Gruevski”, deklaroi Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.
Selmani e porositi kreun e VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski që në mënyrë të qetë ta dorëzojë pushtetin dhe t’i tërheqë “njerëzit e tij të dhunshëm” pasi në të kundërtën, do të përfundojë si Gadafi.
“Ftoj Gruevskin që ti tërheq këto grupe të dhunshme nga rruga dhe të pushojë dhuna kundër gazetarëve sepse herdo kurdo drejtësia do ta arrijë edhe Gruevskin edhe bashkëpunëtorët e tij..Ai mund të na krijojë neve probleme, mund të ketë edhe viktima por ai nuk do të shpëtojë lëkurën, vetëm do ti vështirësohet gjendja dhe ndoshta edhe fundi i tij do të jetë ngjashëm me atë të Gadafit”, shtoi më tej ai.
VMRO-DPMNE-ja iu kundërpërgjigj kryetarit të SHGM-së duke thënë se gënjen dhe manipulon duke e lidhur sulmin ndaj gazetarëve me atë dhe VMRO DPMNE-në. Nga kjo parti thanë se deklaratat e tilla të pahijshme nuk janë të denja për dikë që duhet ta mbrojë gazetarinë e pavarur. Deklarata e Selmanit, siç thonë nga selia e VMRO-DPMNE-së është identike me atë të LSDM-së.
Ministri i brendshëm Agim Nuhiu apeloi për qetësi gjatë protestave dhe protestim pa cënuar të drejtën ose sigurinë e askujt duke siguruar që sulmi i djeshëm do të zbardhet. Deri tani 12 persona po hetohen për përfshirje në rrahjen e gazetarëve.
“Në emrin tim dhe të MPB-së dua ti dënoj ngjarjet e fundit dhe tu siguroj se MPB do ti shfrytëzojë të gjitha kapacitetet për zbardhjen e tërësishme të këtyre rasteve. Secili tentim për prishjen e rendit dhe qetësisë do të sanksionohet. Apelojmë deri tek të gjithë qytetarët e Maqedonisë që të përmbahen nga dhuna”, deklaroi Agim Nuhiu, ministër i brendshëm.
Rrahjen e gazetarëve e dënoi edhe Agjencia e Mediave e cila tërhoqi vëretjen që “Siguria dhe jeta e punonjësve mediatik në asnjë mënyrë nuk guxon të kërcënohet”. Agjencia tha se gazetarëve dhe kameramanëve duhet tu mundësohet raportim i papenguar sidomos në periudha të rëndësishme shoqëroro-politike.
Edhe një sërë organizatash mediatike si Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe punonjësve mediatik, Asociacioni maqedonas i gazetarëve, organizata Civil dhe shumë të tjera reaguan ndaj sulmit dhe kërkuan zbardhjen e menjëhershme të rastit të dhunës.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/