Ministri serb i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviq sot deklaroi se në fabrikën ushtarake në Kraguijevc ka pasur dy shpërthime, e jo një, siç ishte kumtuar fillimisht.
Lajmin fillestar mbrëmë e kumtoi shërbimi për shtyp i Minsitrisë serbe të Mbrojtjes, cituar nga TASS.
Shpërthimi i parë ka ndodhur në orët e pasdites në objektin “A28”, ku është kryer çmontimi i municionit, pas çka zjarri e ka përfshirë këtë por edhe objektin fqinj “A 27”.
Ekipet zjarrfikëse, policia dhe punëtorët në fabrikë menjëherë kanë filluar ta shuajnë zjarrin, por 25 minuta pas shpërthimit të parë ka pasur edhe shpërthim të dytë. Në shpërthimin e dytë janë zhdukur tre persona, pas të cilëve po gjurmojnë ekipet e shpëtimit, theksohet në kumtesën e ministrisë.
Në shpërthimet jetën e humbi nënkoloneli Mirosllav Perishiq nga Forcat e armatosura të Serbisë dhe janë plagosur edhe 25 persona të tjerë, kumtoi Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.
Ministri i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviq i shprehu ngushëllime familjes së ushtarakut të vdekur.
Ai sqaroi se ekipet e shpëtimit nuk mund të arrijnë në vendin në të cilin mund të ndodhen ushtarët e zhdukur, sepse ekziston rreziku nga detonimi i municionit.
Gjorgjeviq shtoi se është formuar komision special për hetim të incidentit.
Njëkohësisht, radioja beogradase “B-992” lajmëroi se tre të zhdukurit në incidentin në fabrikë janë të gjallë. Sipas të dhënave të radios, ata kanë arritur t’u paraqiten në telefon të afërmve të tyre dhe t’u thonë se janë të fshehur në një nga bunkerët e fabrikës.
Tani për tani nuk ka informatë zyrtare e cila do ta konfirmonte lajmin e “B-92”.