Me 54 vota për dhe 8 kundër, Komiteti për punë të jashtme i Parlamentit Evropian ka votuar Rezolutën për Republikën e Maqedonisë dhe ka miratuar 28 nga gjithsej 318 amendamentet kontestuese të dorëzuara. Me këtë rezolutë Parlamenti Evropian konfirmon rekomandimin e 8-të pozitiv të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, por me kusht që fillimisht të zbatohet Marrëveshja e Përzhinos dhe reformat e rekomanduara. Nga ky institucion kanë porositur se presin që vendi të formoj qeveri sa më shpejtë.
“Rezoluta rekomandon që Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë të formoj shpejt qeveri të re dhe stabile, të vazhdoj rrugën e saj në drejt integrimeve të BE-së të përkushtohet në zbatimin e reformave në fushën e sundimit të së drejtë, gjyqësorit, korrupsionit, të drejtave fondamentale, politikën e brendshme dhe raporte të mira fqinjësore. Nëse ka progres të dukshëm në implementimin e Marrëveshjes së Përzhinos dhe reformat urgjente prioritare, Parlamenti Europian është në favor të hapjes së negociatave qasëse”, kanë thënë nga Parlamenti Evropian.
Europarlamentarët kanë shprehur shqetësim sa i përket fushës së gjyqësorit, duke thënë se Shkupi është akoma mbrapa në reformat e gjyqësorit dhe ka ndërhyrje të përsëritura politike në emërimin dhe promovimin e gjykatësve dhe prokurorëve. Ata po ashtu kanë shprehur shqetësim edhe për sulmet politike ndaj zyrës së Prokurorisë Speciale dhe obstruksioneve në punën e saj.
Ndërkohë, raportuesi për Maqedoninë dhe europarlamentari, nga Sllovenia, Ivo Vajgëll ka thënë se, votimi për Rezolutën e Maqedonisë do të thotë edhe mbështetje për vendin që në periudhë sa më të shpejtë të mundshme të formojë Qeveri.
“Është shumë e rëndësishme për Maqedoninë që të ketë qeveri me mbështetje solide në Kuvend. Pas dështimit të tentimit të parë për formimin e Qeverisë, presidenti i Maqedonisë duhet të veproj në pajtueshmëri me Kushtetutën e vendit dhe në linjë me praktikat demokratike dhe t’ia dorëzoj mandatin partisë e cila mund të nxjerrë Maqedoninë nga kriza politike”, ka deklaruar Ivo Vajgëll, eurodeputet.
Më 14 mars në Strasburg përbërja e Parlamentit Evropian do ta sjellë rezolutën zyrtare në seancë plenare.
Teuta Buçi /SHENJA/
PE kërkon realizimin e Marrëveshjes së Përzhinos by tvshenjaofficial