28 Shkurt
Prokuroria Speciale e zgjeroi hetimet për rastin “Titanik” edhe me 17 persona, funksionarë të lartë të VMRO-DPMNE-së. Jo zyrtarisht Alsat M mëson se pjesë e hetimit të zgjeruar për parregullsi zgjedhore janë ish kryeministri Nikolla Gruevski, Martin Protugjer dhe deputeti Ilija Dimovski.
Në këtë fazë është zgjeruar hetimi për 17 persona për më shumë vepra penale. Këtu ka edhe implikime financiare. Kjo ka të bëjë me atë që pas përgjimit të audio regjistrimeve, konstatuam se ka më shumë persona të cilët janë të përfshirë në këto vepra penale – deklaroi Prokurorja Speciale Katica Janeva.
Prokuroria Speciale në kuadër të rastit për parregullsi zgjedhore nën emrin “Titanik” ka kryer hetime edhe për mënyrën e financimit të VMRO-DPMNE-së.
Po, një pjesë e madhe e veprimeve që ishin ndërmarrë nga procedurat tjera ishin edhe veprime në të cilat shqyrtohej ligjshmëria e financimit të fushatave zgjedhore dhe kjo është pjesë përbërëse. Njëherësh, pjesë përbërëse janë edhe veprimet që përfshijnë shkelje të lirisë së përcaktimit të zgjedhësve, e që kishin të bëjnë me aferën “Listat” e cila ishte publikuar – tha Lençe Ristovska, Prokurore Speciale.
Prokuroria Speciale njoftoi se është ushtruar presion ndaj dëshmitarëve gjatë marrjes në pyetje lidhur me financimin e fushatës zgjedhore të VMRO-DPMNE-së në Ohër. Deputetët e Ohrit të cilët janë takuar me prokurorët u janë kërcënuar në prani të kryeshefit të policisë së Ohrit. Ndonëse ishin ftuar mbi 180 persona, para Prokurorisë Speciale kanë dëshmuar vetëm 15 banorë të Ohrit. Për kërcënimet ndaj prokurorëve është informuar edhe ministri i brendshëm Agim Nuhiu.
Në një të ardhme të afërt do të vijojnë kallëzime penale për të dhënat që i posedojmë ne, lidhur me atë se kush ka ushtruar ndikim ndaj dëshmitarëve dhe si kanë përfunduar të dhëna që janë sekrete për procedurën parahetuese në vende që realisht nuk do të duhej të përfundojnë – shtoi prokurorja Lençe Ristovska.
Rasti “Titaniku” është lënda e parë që e hapi Prokuroria Speciale. Të dyshuar për parregullsi zgjedhore janë ish ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska, ish ministri i transportit, Mile Janakievski, sekretari përgjithshëm i qeverisë në vitin 2012, Kiril Bozhinovski dhe kryetari i Pustecit, Edmont Temelko. Ata dyshohen se shumë personave i kanë mundësuar të votojnë në mënyrë të paligjshme.