Prokurori i Departamentit të Veçantë të Prokurorisë për Krime Lufte në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) ka ngritur aktakuzë kundër Dragan Lubarda, Zdravko Lubarda dhe Ozren Planojeviç për krime lufte të kryera në zonën e Rogaticës, raporton Anadolu Agency (AA).
Dragan Lubarda i lindur në vitin 1956, dhe Zdravko Lubarda në vitin 1954 në Rogaticë janë shtetas të BeH-së, ndërsa Planojeviç, i lindur në vitin 1971 në Rogaticë, ka shtetësi të BeH-së dhe Republikës së Serbisë.
Të akuzuarit ngarkohen se në periudhën nga fundi i majit të vitit 1992 deri në fund të vitit 1993, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik të policisë, ushtrisë dhe njësive paramilitare kundër civilëve boshnjakë në Rogaticë, Dragan Lubarda dhe Ozren Planojeviç si pjesëtarë të njësitit rezervë të stacionit të sigurisë publike të Rogaticës dhe Zdravko Lubarda si pjesëtar i Ushtrisë së Republikës Serbska, me aktivitetet dhe veprimet e tyre kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në sulm.
“Përveç kësaj, ata akuzohen se personalisht dhe drejtpërdrejt, së bashku me persona të tjerë janë përfshirë në burgosjen e paligjshme të civilëve boshnjakë, ndarjen e burrave nga gratë dhe fëmijët, rrëmbimet, vrasjet dhe zhdukjet me forcë të disa boshnjakëve. Mbetjet mortore të një pjese të viktimave u gjetën pas luftës dhe për disa ende kërkohet”, thuhet në deklaratën e Prokuroisë së BeH.
Po ashtu ata akuzohen se kanë marrë pjesë në persekutimin e civilëve boshnjakë në Rogaticë, mbi baza etnike dhe fetare në lidhje me vrasjen, të privimit të rëndë të lirisë fizike në kundërshtim me rregullat themelore të të drejtës ndërkombëtare, zhdukjen me forcë të personave dhe akte të tjera çnjerëzore të natyrave të ngjashme, të kryera me dashje duke shkaktuar vuajtje të mëdha ose lëndime të rënda fizike apo psikologjike të dëmtimit të shëndetit.
Të akuzuarit ngarkohen për kryerje të krimeve kundër njerëzimit në pajtim me nenin 172 të Kodit Penal.
Aktakuza është dërguar në Gjykatën e BeH-së për konfirmim.