27 Shkurt
Ndryshe nga çfarë ishte paralajmëruar, BDI-ja për sot nuk ka paraparë mbledhje të Kryesisë Qendrore për të diskutuar pjesëmarrjen e mundshme në koalicionin e ardhshëm qeveritar. Në mbledhjen e tre ditëve më parë, partia e Ahmetit vendosi të japë nënshkrimet e deputetëve të saj në mbështetje të kreut të LSDM-së Zoran Zaev për të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re kurse paraprakisht miratoi draft ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Nga BDI-ja nuk bëjnë me dije se kur do të jetë takimi i radhës i kryesisë ku ajo pritet t’i japë drite jeshile një koalicionimi me partinë e Zoran Zaevit. Megjithatë, zyrtarisht, i hapur për shqyrtim vazhdon të mbetet edhe opsioni i qëndrimit të BDI-së në opozitë dhe përkrahja e një qeverie të pakicës.