27 Shkurt
Demë Shehu është i akuzuari i tretë që sot dëshmoi në seancën e radhës për rastin “Lagjja e Trimave” në Kumanovë. Edhe si dy dëshmitarët paraprak, Sami Ukshimi-komandat Sokoli dhe Andi Krasniqi-Komandant Malisheva, edhe Demë Shehu tha se qëllimi kryesor i grupit të armatosur nuk ka qenë nxitja e konfliktit, por bërja e presionit për shkak të shkeljes së të drejtave shqiptare dhe moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. Gjatë seancës gjyqësore Shehu ka dëshmuar se bashkë me Valdet Zekajn, Beg Rizajn, Mirsad Ndrecajn dhe Sami Ukshinin kanë sulmuar pikën policore në Gushincë që me lehtësi të hyjnë ilegalisht në Maqedoni dhe anasjelltas.
Arsyeja që ka ardhur me grupin, që ka qenë edhe anëtarë i grupit është mos-implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, të drejtat e popullatës shqiptare, posaçërisht në territorin e anës së Kumanovës që d.m.th janë bërë shumë padrejtësi. Mos implementimi por edhe jo barazia mes maqedonasve, respektivisht maqedono-shqiptar dhe kjo ka qenë arsyeja – deklaroi avokati Naser Raufi.
Edhe Shehu në dëshminë e tij tha se disa nga anëtarët e grupin kishin lidhje me politikanë shqiptar, por dhe me agjentë të sigurimit më të cilët janë takuar madje 2-3 ditë para ngjarjeve në Kumanovë. Shehu tha se Ejup Halimi, nëpërmjet një shoku e kishte paralajmëruar Beg Rizajn, që mos hyjë në Maqedoni, pasi atë po e prisnin njësitë speciale. Sipas tij, se ish ministrja e punëve të brendshme Gordana Jankullovska dhe Sasho Mijallkov kanë qenë orkestrues të masakrës së 9 majit në Kumanovë. Demë Shehu gjithashtu tregoi vendosjen e grupit me shtëpinë e të akuzuarit tjetër Fadil Fejzullahu për të cilin tha se ndjen keqardhje të madhe meqë grupi iu imponua duke e bërë edhe atë viktimë të rastit. Seanca e radhës mbahet më 3 mars me dëshmitë e të akuzuarve të tjerë.