Procesi i bisedimeve për formimin e qeverisë së re dukej drejt finalizimit me një marrëveshje midis BDI-së dhe LSDM-së për të formuar qeverinë e re.
Por, në mes të rrugës kemi një kthim drastik të qëndrimeve në BDI, ku përfaqësuesit e kësaj partie pas një takimi me ministrin britanik për Evropë, deklaruan se janë duke menduar edhe për të qëndruar në opozitë.
Njohësi i rrethanave politike , Latif Mustafa në një prononcim për portalin Tetova1 ka deklaruar se ndërrimi i rrugës në mes të rrugës i BDI-së nga bisedimet me LSDM-në e në qëndrimin në opozitë mund të kuptohet me atë se BDI-ja është një parti e kapur nga VMRO-DPMNE-ja.
“Deklarimet e Gruevskit se “LSDM dhe BDI po e ridefinojnë shtetin” si duket e ka futur në ankth BDI-në dhe VMRO-në për presionin psikologjik dhe imponimin që ka bërë Lëvizja Besa, me çështjen e “Ridefinimit”. Deklarimet e Ali Ahmetit për t’u tërhequr në opozitë mund të kuptohet përmes dy premisave: e para, është ajo që është e njohur deri më tani, se BDI-ja është parti e kapur dhe nuk mund të jetë aleati “natyror” i LSDM-së dhe si e tillë nuk mund ta shtyej procesin sepse pengohet nga tentakulat e VMRO-së që ka shtrirë brenda kësaj partie. Premisa e dytë, Ali Ahmeti nuk është mandatar i “Ridefinimit” , ndërgjegja publike e kërkon që Lëvizja Besa të jetë formuesja e koalicionit, pra, ajo që është mandatare e ridefinimit. Por siç shihet edhe nga deklaratat e Gruevskit, një numër i madh i Maqedonasve, ridefinimin, e kuptojnë si ide substancialisht anti-Maqedonase, separatiste dhe dekonstruktive. Realisht, “Ridefinimi”, për më tepër, është shtrirja e një debati të zgjeruar publik për vetë idenë dhe ekzistencën e shtetit dhe raportet e mirëfillta me individin dhe komunitetin gjë që (duhet) synohet dendshëm të reflektohet edhe në politikë. Ajo thjeshtë është një ftesë ndaj “ndërgjegjes intelektuale dhe publike” për një organizim kualitativ shtetëror. Nga kjo pikëpamje BDI-ja nuk ka mandatin dhe kapacitetin për një debat të tillë dhe si e tillë tërheqja e saj në opozitë do të ishte më e mirë.”, deklaroi Latif Mustafa për portalin Tetova1.
Përndryshe, LSDM-ja ka pranuar pjesën dërmuese të kërkesave shqiptare për formimin e qeverisë së re, kërkesa këto që kanë dal nga platforma e përbashkët e partive politike shqiptare./Tetova1/