Kanë vazhduar edhe sot protestat e të punësuarve pranë ndërmarrjes Hekurudhat e Maqedonisë, të cilët për 6 ditë mbajnë të bllokuar transportin hekurudhor në vend. Të punësuarit kërkojnë pagesën e rrogës së janarit dhe akuzojnë ekipin e menaxherëve të ndërmarrjes publike për shkeljen e marrëveshjes për pagesën e rrogave.
Kjo bllokadë, tashmë ka shkaktuar dëme ekonomike për kompanitë të cilat importonin apo eksportonin lëndët e para apo materialet e gatshme duke përdorur transportin hekurudhor.
Nga ana tjetër, menaxherët e ndërmarrjes publike Hekurudhat e Maqedonisë, thonë se ata po përballen me situatë të vështirësuar financiare dhe me humbje prej miliona eurosh gjatë vitit 2016, shkaku i bllokadave në kufirin jugor nga protestuesit grekë.
Ekipi menaxherial premton se në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe me Qeverinë, do të arrijë që deri më 10 mars të plotësojë kërkesat e të punësuarve, por këta të fundit nuk u binden premtimeve dhe vazhdojnë të mbajnë të bllokuar transportin hekurudhor.
Ekspertët ekonomikë thonë se e tërë kjo situatë e krijuar, është si pasojë e mungesës së investimeve kapitale nga ana e Qeverisë.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Fatmir Bytyqi, thotë se ekzistimi i vetëm një linje transportuese dhe anashkalimi i alternativave tjera, e ka sjellë deri në këtë gjendje ndërmarrjen publike Hekurudhat e Maqedonisë.
“Një prej shkaktarëve kryesorë, mendojmë që Qeveria e kaluar nuk ka pasur një politikë të qartë të zhvillimit ekonomik. Andaj, si pasojë, kemi pa që nuk ka investime në infrastrukturë, qoftë në infrastrukturën rrugore ose hekurudhore. Duke stimuluar vetëm një aks rrugor dhe hekurudhor, që ishte aksi jugor, lidhja me portin e Selanikut. Duke anashkaluar korridorin 10, duke e anashkaluar korridorin 8. Dy prej korridoreve të mundshme alternative që do sillnin një impulsin ekonomik edhe të zonave në këto rajone”, tha drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Fatmir Bytyqi.
Bytyqi thotë se duhet kushtuar rëndësi të veçantë infrastrukturës hekurudhore, pasi për dallim nga Maqedonia, të gjitha vendet në botë tentojnë të shfrytëzojnë në maksimum transportin hekurudhor, duke ulur kostot e transportit për sektorin e biznesit.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Vazhdon bllokada e transportit hekurudhor… by tvshenjaofficial
Powered by WPeMatico