Anëtarët e Organizatës Terroriste FETO, të cilët pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik në Turqi janë në kërkim të rrugëve për t’u arratisur nga Turqia, si një nga itineraret e tyre kanë edhe Maqedoninë, e cila ka pozicionin e një pike hyrëse në Ballkanin Perëndimor.
Anëtarët e FETO-s, të cilët pas tentativës makabre për grusht shteti nga organizata janë në kërkim të vendeve për t’u strehuar, përpiqen veçanërisht të hyjnë në shtetet e Evropës pa viza përmes Ballkanit. Teksa disa anëtarë të organizatës hyjnë në shtetet e Evropës duke zgjedhur këtë rrugë, disa të tjerë parapëlqejnë shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku struktura e FETO-s vazhdon praninë përmes shkollave, universiteteve, shoqatave dhe organeve mediatike.
Një nga këto vende është edhe Maqedonia, ku veprimtari ushtrojnë kompani që kanë lidhje me FETO-n në fushën e arsimit, transportit, tregtisë, shëndetësisë dhe turizmit. Që nga mesi i viteve të 90-ta, Maqedonia ka strehuar formacione të ndryshme që kanë lidhje me FETO-n, në shkolla, shoqata, gazeta dhe organizata të shoqërisë civile, ndërkohë që pas tentativës për grusht shteti, ky shtet bën pjesë në mesin e destinacioneve të pjesëtarëve të FETO-s.
Pjesëtarët e organizatës shfrytëzojnë për qëllimet e tyre regjimin pa viza mes dy shteteve, teksa në të njëjtën kohë kërkojnë mënyra për të siguruar leje qëndrimi dhe pune në Maqedoni, shtet ky në të cilin hyjnë me lehtësi. Në Maqedoni, ku periudha e qëndrimit si turist pa vizë është 90 ditë, pjesëtarët e FETO-s dëshirojnë ta vazhdojnë këtë periudhë, kurse duke përdorur metoda të ndryshme si themelim kompanish, krijim partneriteti në ndonjë kompani ose regjistrim në shkollë, ata mund të sigurojnë me lehtësi të drejtën për qëndrim dhe punë.
Anëtarët e FETO-s, të cilët marrin me qira shtëpi në Maqedoni, duke filluar nga Shkupi, Gostivari, Manastir, Ohri, si dhe rajoni i Mavrovës i cili njihet si qendër e famshme skijimi, vazhdojnë jetën e tyre duke u përputhur me kushtet e jetesës në Maqedoni dhe bëjnë tregti dhe sigurojnë jetesën me lehtësi.
Ndërkaq, në mënyrë që të mos deshifrohen, ata qëndrojnë larg rajoneve të vendit të populluara me qytetarë turq dhe shqiptarë dhe si vendbanime preferojnë vendet me shumicë të popullsisë maqedonase.
Pjesëtarët e organizatës, të cilët përjetojnë frikë edhe përkundër faktit se gjenden në shtete të ndryshme, më së shumti nga shtëpitë e tyre dalin pas ngrysjes, për t’u takuar në vende të caktuara të punës.
Korridori për ikje drejt shteteve të Evropës
Ndërkaq, disa pjesëtarë të FETO-s shfrytëzojnë Ballkanin Perëndimor si rrugë tranzitore drejt shteteve të Evropës. Pjesëtarët e organizatës të cilët vijnë nga Turqia, pasi realizojnë hyrjen në Ballkan përmes Maqedonisë, shkojnë në ndonjërin prej vendeve fqinje disa ditë para skadimit të periudhës 90-ditore për qëndrim pa vizë. Në këtë mënyrë, pjesëtarët e FETO-s fitojnë kohë duke u shëtitur në vende me rregulla të ngjashme në aspektin e vizave, siç janë Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina, ndërkohë që marrin frymë lehtë në ndonjërin nga vendet e Bashkimit Evropian.
Ata dëshirojnë të shkojnë në ndonjë shtet të Evropës dhe në të njëjtën kohë të mos zbulohet vendi se ku do të qëndrojnë gjatë largimit nga Turqia, teksa pas ardhjes në Maqedoni, ata marrin leje qëndrimi duke u regjistruar si student ose duke hapur kompani. Më pas, anëtarët e kësaj organizate, duke marrë vizë “schengen” nga përfaqësi në Maqedoni, mund të ikin lehtë drejt ndonjë shteti anëtar të Bashkimit Evropian.
Lufta efikase kundër FETO-s është kusht për të penguar këtë
Në vendet e Ballkanit Perëndimor ende nuk janë ndërmarrë hapa konkretë në lidhje me luftën kundër FETO-s. Fakti që strukturat e organizatës në Ballkanin Perëndimor vazhdojnë aktivitetet e tyre, bën që pjesëtarët e FETO-s t’i ndiejnë si të afërta këto vende dhe shigjetën e destinacionit ta kthejnë drejt këtyre vendeve.
Ndërkaq, thuhet se nëse në këto vende, ku përpos mesazheve solidarizuese pas tentativës makabre për grusht shteti nuk është bërë diç më tepër, nuk ndërmerret luftë efikase në koordinim me Turqinë kundër FETO-s, duket e pashmangshme që itinerari i arratisjes së pjesëtarëve të FETO-s do të jetë në këtë drejtim.
Strukturimi i FETO-s në Ballkanin Perëndimor
Në Ballkanin Perëndimor, veprimtari ushtrojnë 40 shkolla që njihen për afërsinë e tyre me FETO-n. Nga këto shkolla, 15 gjenden në Bosnjë dhe Hercegovinë, 12 në Shqipëri, shtatë në Maqedoni, pesë në Kosovë dhe një në Serbi.
Krahas fushave të arsimit, turizmit, mediumeve dhe botimeve, në rajon, FETO tërheq vëmendjen edhe me praninë e saj në institucionet publike. Edhe me nxënësit të cilët i trajnon, organizata përpiqet ta rrisë ndikimin në institucionet fetare të rajonit.
Powered by WPeMatico