Shefi i shtabit i Ushtrisë Serbe Lubisha Dikoviq dhe ish-koloneli i policisë Goran Radosavleviq u raportua gjithashtu se janë në listë, por kjo nuk është konfirmuar nga prokuroria e Kosovës (Dikoviq pra disa viteve u takua me Fatmir Besimin e BDI-së, deri sa ishte Ministër i Mbrojtjes në Maqedoni).
Mirëpo, mbase pak kujt i kujtohet se në shkurt të vitit të kaluar, ishte pikërisht përfaqësuesi i BDI’së, asokohe Ministër i Mbrojtjes, Fatmir Besimi, ai i cili e thellojë bashkëpunimin midis qeverive respektive.
Delegacioni i Ministrisë së Mbrojtjes, në shkurt të vitit 2012, i kryesuar nga ministri i atëhershëm, Fatmir Besimi, kishte qëndruar për vizitë pune në Serbi, ku zëvëndësi i tanishëm i Nikolla Gruevskit, Fatmir Besimi, ishte takuar edhe me shefin e Shtatmadhorisë së Armatës së Serbisë, gjeneral nënkolonelin, Ljubisha Dikoviq ( shih foton ).
Ky takim u realizua pikërisht në kohën kur një grup për të drejtat e njeriut e akuzonin komandantin e armatës serbe për krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998 – 99. Qendra për të Drejta Humanitare kishte deklaruar se shumë krime të rënda masive ishin kryer në Kosovë gjatë kohës që Dikoviq ishte në krye si komandant brigade, duke përfshirë ekzekutime të civilëve, grabitje dhe përdhunime.
Edhe kryetarja e Fondit për të Drejta Humanitare, Natasa Kandic, kishte deklaruar se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjeneral-nënkoloneli, Ljubisa Dikovic, nuk ka të kaluar të pastër, duke kujtuar se ai, si komandant i Brigadës së 37 të motorizuar në Kosovë, nuk ka penguar krimet që kanë ndodhur në zonën e tij të përgjegjësisë.
“Provat mbi të cilat bazohet aktgjykimi i Tribunalit të Hagës në lëndën ’Milutinovic dhe të tjerët’, viktimat e mbijetuara nga Drenica, si dhe dokumenteve nga baza e të dhënave të Gjykatës së Hagës, tregojnë për shumë krime të rënda lufte dhe masive ndaj civilëve shqiptarë në Drenicë, në zonën e përgjegjësisë së Dikovicit”, kishte deklaruar Kandic.
Asokohe, edhe deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi, pati shprehur akuza të ashpra ndaj zëvendëskryeministrit për eurointegrime Fatmir Besimi, për shkak të takimi që pati realizuar me shefin e Shtatmadhorisë së Ushtrisë serbe, shkruan Almakos.
“Fatmir, këtë fotografi e mban mend!? Njëri je ty, kurse ky tjetri është gjenerali kriminel, kurse tani komandant i forcave të armatosura të Serbisë, dhe këtë librin që e ke në dorë është “ Vojska Serbije “, a e din çfarë ka bërë “Vojska Serbije“ kundër shqiptarëve?! A e din?! Janë me qindra mijra shqiptarë të vrarë e të shpërngulur nga gjeneral Dikoviq, vet shoqata civile këtë gjeneralin e ka quajtur kriminel, sepse ka udhëhequr batalion në Kosovë dhe Ti hiq pa fije turpi shkon ia shtrin dorën një gjenerali kriminel.
Edhe tani pretendon që të behësh zv.kryeministër për integrime, ku do të i integrosh!? I keni integru shqiptarët e Maqedonisë, e keni shlye murrin me Serbinë, atje do të na integroni, jam i sigurtë sepse është duke u realizuar pjesa e dytë e Referendumit për Pavarsinë e Maqedonisë, e mban mend se sje i rri, se qysh është titulluar ajo pyetje për referendum!? Pikërisht është ky grupim politik në krye me Ali Ahmetin që na ka çu në këtë pozicion, në pozicione përbuzëse. Përplot janë burgjet me shqiptar, këta të burgosur që një pjesë e tyre kanë marrur pjesë në luftë, bile kanë marrë pjesë edhe në tre lufta, lirisht sot me këto ratifikime mund të vije Serbia vet të i mare, jo të i dërgojnë, sepse ligjet ia mundësojnë. Nuk e di a i keni lexuar këta ligje ju?!
A i keni pasur nëpër dorë, apo a nuk ju intereson?! Po të ju kishte interesuar do të shqetësoheshit pak, edhe do të ndërmershit një hap, por jam i sigurt se nuk jeni shqetësuar në asnjë moment për asnjë çështje për shqiptarët, për këtë arsye rrini me non-shalancë këtu dhe ju buzëqeshni me mënyrë ironike për pozicionin e shqiptarëve, por shqiptarët do të ju dënojnë mos e mendoni që kaq lehte do të kaloni”, pati deklaruar Ibrahimi.
Prokuroria speciale e Kosovës konfirmoi të mërkurën se ka nxjerrë 57 urdhra për arrestimin e shtetasve serbë nën dyshimet se kanë kryer krime lufte, por tha se nuk do të japë emrat e personave të kërkuar.
“Sipas kërkesave për ndjekje penale të paraqitura nga prokurorët vendas, gjyqtarët e procedurës paraprake në gjykatat e shkallës së parë lëshuan 57 urdhër arrestime vendase dhe ndërkombëtare,” tha për BIRN zëdhënësja e Prokurorisë Speciale Liridona Kozmaqi.
Misioni sundimit të ligjit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, tha se vetëm institucionet gjyqësore lokale po punojnë për hetimet.
“EULEX-i nuk është i përfshirë në përpunimin 57 urdhër arrestimeve, siç është raportuar në media. Këto urdhër arrestime kanë lidhje me çështjet lokale që po hetohen aktualisht nga prokuroria e Kosovës”, tha për BIRN zëdhënësja e EULEX-it, Besa Domi.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale Kozmaqi theksoi megjithatë se urdhrat janë lëshuar “me kërkesë të prokurorëve të EULEX-it”.
Por kur u pyet për herë të dytë, zëdhënësja e EULEX Domi përsëriti, se “EULEX mohon përfshirjen e tij në këto 57 urdhër arrestime”.
Gazeta serbe Informer raportoi të martën se ndër emrat në listën e personave të kërkuar nga Kosova janë edhe zyrtarë të partisë qeverisëse serbe.
Shefi i shtabit i Ushtrisë Serbe Lubisha Dikoviq dhe ish-koloneli i policisë Goran Radosavleviq u raportua gjithashtu se janë në listë, por kjo nuk është konfirmuar nga prokuroria e Kosovës (Dikoviq pra disa viteve u takua me Fatmir Besimin e BDI-së, deri sa ishte Ministër i Mbrojtjes në Maqedoni).
Momir Stojanoviq, një ish-deputet nga Partia qeverisëse Progresive, është megjithatë në listën e personave të kërkuar nga Interpoli.
EULEX tha në vitin 2015 se Stojanoviq dyshohet për krime lufte kundër civilëve në rajonin e Gjakovës në Kosovë në vitin 1999, edhe pse Serbia tha se Kosova nuk kishte prova kundër tij.
Agjencia serbe e lajmeve Tanjug ndërkohë raportoi se Serbia lëshoi 100 urdhër arrestime për ish-oficerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dyshuar për krime lufte.
Çështja e urdhër arrestimeve ndërkombëtare u shndërrua në një temë diskutimi të ashpër midis Prishtinës dhe Beogradit pasi ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ishte komandant i UÇK-së gjatë luftës, u arrestua në janar të Francë me një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia nën dyshimet se ai ka kryer krime lufte.
Një gjykatë franceze do të vendosë më 2 mars nëse Haradinaj mund të ekstradohet apo jo në Serbi për t’u përballur me akuzat.
Tomë Gashi, një avokat nga Kosova që ka mbrojtur ish-zyrtarët e UÇK-së në gjyqet për krime lufte, tha për BIRN se publikimi i emrave të serbëve të kërkuar nga Kosova do të komplikonte procesin e zbatimit të urdhër arrestimeve.
“Sigurisht që këta emra nuk do të publikohen. Publikimi i emrave të tyre thjesht do ta bënte të pamundur arrestimin e tyre, sepse nëse ata i kanë këto informacione, ata do ta shmangin hyrjen në Kosovë”, tha Gashi për BIRN.
Duke qenë se Kosova nuk është anëtare e Interpolit apo Europolit, urdhër arrestimet nuk mund të ekzekutohen në vende të tjera./Almakos