Duke folur mbi krizën e krijuar për formimin e Qeverisë së re, sekretari i përgjithshëm i UNITETIT, Muhamed Ismaili, tha se vendi gjendet në një situatë kaotike, dhe në rrezik të madh që të kalojë në anarki.
“Kemi situatë shumë paradoksale. Ta zëmë, shtyrja e mandatit të deputetëve, ose shtyrja e mandatit të këshilltarëve komunal si dhe mandatit të kryetarëve të komunave, është e paraparë vetëm në gjendje të jashtëzakonshme edhe atë deri në gjashtë muaj, Ndërsa kjo situatë kështu pa shpallur gjendje të jashtëzakonshme, ose lufte, mund të shtyhet deri në pakufi. Kemi disa momente ku nuk janë paraparë të futen paraprakisht në Kushtetutë ose në ligje dhe tani dikush e shfrytëzon atë vakum për të manipuluar politikisht dhe për t’i ikur dorëzimit të pushtetit”, deklaroi Ismaili në emisionin ‘Arena’.
Ai tha më tej se partitë shqiptare duhet të ulen në një tryezë të përbashkët që ta diskutojnë ofertën e LSDM-së, që të shohin se sa është e dobishme ajo për çështjen shqiptare. Pasi BDI-ja nuk e ka përjashtuar mundësinë që sërish me VMRO DPMNE-në të bisedojë për formimin e Qeverisë, sigurisht nëse nuk arrin të merret vesh me LSDM-në, Muhamed Ismaili mendon se nuk do të jetë e mundshme, pasi disa eksponentë të BDI-së janë shprehur kategorikisht kundër koalicionimit me partinë e Gruevskit.
“Gjithçka është e pritshme nga BDI, mirëpo atë që mund ta them unë si përfaqësues i UNITETI-t, në këtë rast edhe i Aleancës, është se ne kemi qenë shumë të qartë dhe të saktë kundrejt asaj se cilit do ia japim përkrahjen. Edhe pse platforma e përbashët e partive politike shqiptare nuk është e përkryer, është larg asaj që të jetë e përkryer, por kjo është një kornizë e partive për t’u unifikuar rreth diçkaje”, tha Ismaili. /SHENJA/
Powered by WPeMatico