Përfaqësuesit e Lëvizjes BESA sot kanë realizuar një takim në kompaninë e energjisë elektrike EVN, për të diskutuar rreth problemeve që i kanë shprehur qytetarët lidhur me furnizimin dhe pagesën e energjisë elektrike dhe sidomos për çmimin që ata detyrohen të paguajnë ndaj kësaj kompanie. Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Besa, Afrim Gashi, tha se Lëvizja BESA është e shqetësuar për pakënaqësitë e qytetarëve dhe se janë takuar me përfaqësuesit EVN-së për të parë se çfarë mund të bëjnë në zgjidhjen e këtyre problemeve.
“Qytetarët duhet ta dijnë se ne si Lëvizje Besa do të jemi zëri i tyre dhe se gjithmonë kur do të shohim se do të ketë nevojë për të trokitur në mënyrë institucionale deri te këto institucione, kompani të ndryshme ne do të jemi këtu për të artikuluar zërin e tyre. Kjo është puna e një politikani, kjo është puna e deputetëve që ta artikuloj kërkesat dhe interes e qytetarëve dhe ne sot këtë punë e bëmë”, ka deklaruar Afrim Gashi nga Lëvizja BESA.
Gashi ka shtuar se edhe pse për momentin janë të zënë rreth formimit të Qeverisë, ata nuk i anashkalojnë problemet me të cilat përballen qytetarët.
“Për neve sa formimi i qeverisë dhe platforma e përbashkët po aq e rëndësishme është edhe çmimi i lartë i energjisë që e paguajnë qytetarët. Dhe jo rastësisht në këtë situatë kur jemi në vlugun e punës për formimin e Qeverisë ne sot merremi edhe me çmimin e energjisë se qytetarëve mbi të gjitha kjo ju dhemb. Ata duan që të kenë një Qeveri, por duan që të kenë edhe një jetë më të mirë”, ka thënë më tej Gashi.
Ndërkohë, ditëve të fundit qytetarët kanë organizuar disa protesta kundër kompanisë energjetike EVN por, edhe ndaj kompanisë ELEM dhe Mepso. Një numër i madh i qytetarëve kanë shprehur pakënaqësitë e tyre, kryesisht kundër faturave të shtrenjta të rrymës elektrike.
Teuta Ismaili /SHENJA/