Lëvizjes BESA ju vodhën të paktën tre mandate deputetësh! Këtë e ka ritheksuar mes tjerash kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, gjatë emisionit “Arena” që mbrëmë u transmetua në Televizionin SHENJA. Ai shtoi se ato mandate do të ishin vendimtare që sot të kemi një qeveri reformatore. Duke folur për bisedimet për formimin e Qeverisë, Kasami tha se fillimisht, VMRO dhe BDI duhet të ballafaqohen me krimin brenda partive të tyre, e më pas të bisedohet për arritjen e ndonjë marrëveshje për Qeverinë.
“VMRO ka 51 mandate dhe BDI ka 10 mandate, të cilët edhe aktualisht janë në Qeveri. Dhe kjo e bie që situata të jetë e rënduar shkaku që këta forca politike nuk janë të gatshme që të ballafaqohen me krimin dhe korrupsionin brenda subjekteve të tyre, që pastaj të japin mundësi të formatimit të një Qeverie e cila do të jetë Qeveri e cila do të rikthejë Maqedoninë në rrugëtimin e sajë Euroatlantik“, tha kryetari i Lëvizjes BESA Bilall Kasami.
Duke folur për platformën e përbashkët të partive shqiptare, numri një i BESËS tha se me deklaratat e liderit të BDI-së, ku ky i fundit përvetësoi këtë deklaratë, Lëvizja BESA mund ta rishqyrtojë mbështetjen e saj për këtë deklaratë. I pyetur për anketat e publikuara në kohën e fundit, në të cilat Lëvizja BESA gëzonte përkrahje më të madhe se BDI-ja, Kasami tha se kjo është pasqyrim i ambientit politik tek shqiptarët.
“Në zgjedhjet e radhës, kurdo qofshin ata, ne do të jemi fitues absolut. Këtë dalëngadalë do e nxjerrin edhe sondazhet e ndryshme të cilat bëhen, të cilat po tregojnë se shqiptarët e Maqedonisë tanimë nuk duan që ata t’i përfaqësojë një parti siç është BDI-ja”, theksoi Kasami.
Kasami shtoi se krahas anketave të ndryshme, Lëvizja BESA më shumë është fokusuar në ndërtimin e strukturave të mirëfillta partiake. /SHENJA/