Maqedonia e ka intensifikuar eksportin në Rusi. Është i madh interesi për produktet tona në këtë treg të madh, tregojnë të dhënat më të reja për shkëmbimin.
Siç është thënë sot në konferencën për shtyp në Odën ekonomike Maqedoni-Rusi, eksporti në vitin 2016 ka arritur 48,9 milionë euro që është rritje për 39,5 për qind në krahasim me vitin 2015, ndërsa është zvogëluar edhe deficit tregtar nga 153 në 142,9 milionë euro. Shkëmbimi i përgjithshëm tregtar vitin e kaluar ka qenë 191 milionë euro ose 15 për qind më shumë se vitin 2015, kur ka qenë 189 milionë euro.
Pritjet janë se këtë vit eksporti do të jetë më i madh edhe nga viti 2016.
Sipas drejtorit ekzekutiv të Odës, Dejan Beshliev, Maqedonia në tregun rus tani për tani më shumë eksporton verë, fruta dhe perime, por është e pranishme edhe me industrinë farmaceutike dhe makinerike.
“Nga dhjetori i vitit 2016 është nënshkruar edhe marrëveshja e parë për eksport të prodhimeve qumështore, ndërsa eksport përgatit edhe industria kimike”, theksoi Beshliev.
Ai i prezantoi edhe rezultatet nga panairi për ushqim dhe pije në Moskë, 24 “Prodekspo”, në të cilin krahas 2.000 kompanive nga 57 vende, kanë marrë pjesë edhe shtatë firma të Maqedonisë nga industria e verës, qumështit dhe konservuese.
Oda Ekonomike Maqedoni-Rusi përgatitet për panairin e ardhshëm ndërkombëtar në Moskë që tradicionalisht mbahet në shtator.