Ambasadori i Holandës në Maqedoni, Vauter Plomp, ua ka rikujtuar edhe një herë partive politike në vend, porosinë e eurokomesarit Johanes Han se duhet të formojnë sa më shpejtë Qeveri, me të cilën vendi do të dilte nga kriza. Ai tha se Holanda e mbështet Maqedoninë dhe shpreson se Qeveria e ardhshme do të jetë reformuese, sidomos në sundimin e të drejtës dhe do të mbështesë edhe Prokurorinë Speciale Publike.
“Holanda përkrah për një kohë të gjatë Maqedoninë në procesin e zbatimit të reformave në procesin e integrimeve evropiane. Në këtë pikëpamje, unë do të përsëris deklaratën e Johanes Han, ku thotë se Qeveria e Maqedonisë nuk ka kohë për të humbur. Krahas kësaj, theksoj se procesi i formimit të Qeverisë është në duar të partive politike në Maqedoni. Ambasada e Holandës shpreson se Qeveria e re do të jetë e orientuar drejt reformave dhe sundimit të së drejtës dhe se e rëndësisë parësore është që të përkrahet puna e PSP dhe sektorëve të tjerë gjyqësor të rëndësishëm në Maqedoni”, tha ambasador i Holandës, Vauter Plomp.