Kushtet e motit u kanë ndihmuar autoriteteve që të ulet ndotja e ajrit dhe kështu stacionet matëse të Ministrisë së Ambientit pas një periudhe më të gjatë janë në nivelin e gjelbër. Ekspertët paralajmërojnë se masat kundër ndotjes duhet të merren vazhdimisht gjatë tërë vitit edhe kur ndotja nuk është e lartë, pasi masat afatshkurta nuk sjellin kurrfarë rezultati.
“Ne me dekada marrim masa afatshkurta, atëherë kur fillon sezoni i ngrohjes dhe kur kemi ndotje, pasi ngrohja kombinohet me kushtet e pavolitshme të motit në luginën e Shkupit dhe qytete tjera ku ka ndotje. Në këtë rast asnjë masë ad-hok nuk sjell rezultate madje vepron në mënyrë konfuze, në mënyrë jobindëse dhe popullata revoltohet edhe më shumë…”, u shpreh Dragan Gjorgjev, instituti i shëndetit publik.
Masat që i ndërmarrin kompetentët, profesori Gjorgjev i vlerëson si josistematike dhe të pakoordinuara. Ai thotë se për të parë se si ndikon ndotja e ajrit tek kategoritë e ndryshme të qytetarëve, duhet të bëhen analiza shkencore.
“Duam të bëjmë matjen e ekspozimit të çdo individi ndaj ndotjes. Do të bëjmë një ekzemplar të popullatës që të shohim përmes testeve të gjakut se çfarë efekte konkretisht sjell ndotja e ajrit tek grupet e ndryshme të popullatës”, tha Dragan Gjorgjev, instituti i shëndetit publik.
Hulumtimet që instituti i shëndetit publik i ka përpunuar tre vitet e kaluara kanë treguar se 1300 deri 2000 raste të vdekjes në vit janë pasojë e ndotjes së ajrit. Numri më i madh i rasteve të vdekjes është regjistruar në Shkup, ndërsa pjesa më e madhe e të vdekurve kanë qenë të sëmurë kronik ose persona në moshë.