Ali Ahmeti, Artan Grubi, dhe shumë zyrtarë të tjerë të cilët dëgjohen në bisedat e përgjuara të DSK-së teksa flasin dhe negociojnë me grupin e Kumanovës, nga java e ardhshme do të thirren si dëshmitarë në gjykatë. Këtë e konfirmon avokati i një numri të madh të akuzuarish në këtë proces gjyqësor, Naser Raufi. I pyetur konkretisht për emrat që do të propozohen për të dëshmruar në proces, Raufi tha se në seancën e radhës që u paracaktuar për këtë të premte, të akuzuarit vetë do ti shpalosin emrat e atyre që kanë njohuri për ngjarjet dhe do ti thirrin për të dëshmuar.
“Dëshmitarët do ti propozojmë pas deklaratave. Pasi të flasin të gjithë të akuzuarit, lista do të jetë e përbashkët e të gjithë avokatëve përveç këtyre dy avokatëve që tashmë praktikisht filluan me kundërshtimet e aktakuzës. A gjendet Ali Ahmeti në listë? Mendoj se po. Artan Grubi? Po. Ejup Alimi? Secili prej personave, nuk mund të them që këto kanë qenë në telefonatat e përgjuara, secili që ka marrë pjesë në telefonata të përgjuara sigurisht do të propozohet. Sadulla Duraku? Nuk mund tju them konkretisht por këto persona që i përmenda do të jenë sigurisht.”, ka thënë avokati Naser Raufi.
Sot dëshmuan shtatë dëshmitarët e parë të mbrojtjes, kryesisht persona që kanë ndonjë lidhshmëri familjare ose pune me të akuzuarit Besnik Ajdini, Musadik Pajaziti dhe Irfan Lutfiu që secili tregoi për herën e fundit kur i kanë takuar të akuzuarit dhe nëse kanë vërejtur diçka të pazakontë rreth sjelljes së tyre.
Në seancën e ardhshme do të dëshmojnë vetë të akuzuarit dhe do të emërojnë zyrtarë të cilët duhet të jenë dëshmitarë.
Ferikan Iljazi /SHENJA/