Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi ditën e sotme një takim me profesioniste të rinj në selinë e PD-së.
Sipas Bashës, PD vjen sot si një Parti Demokratike e ndryshuar dhe e hapur dhe e gatshme për të marrë përgjegjësitë e një rruge tjetër për Shqipërinë. Basha premtoi se me ardhjen në pushtet të PD, do të ndiqet një formulë e përdorur nga vendet e zhvilluara të BE si Gjermania, duke ofruar 10 mijë stazhe për të rinj vit për vit të paguara nga buxheti i shtetit, si një urë mes atyre që mbarojnë shkollën dhe që futen në tregun e punës.
“Ditë për ditë dëgjojmë shfajësime. Ne kemi alternativë, ne kemi zgjidhje. Dhe një zgjidhja është alternativa ime për 10 mijë stazhe për të rinj vit për vit të paguara nga buxheti i shtetit, si një urë mes atyre që mbarojnë shkollën dhe që futen në tregun e punës. Nuk është një formulë që e kam shpikur, pavarësisht se është propozimi im politik. Me këto 10 mijë stazhe u japim mundësi të këtyre të sapodiplomuarve që në vend se t’i kapë ankthi, të kenë një kontekst për hapat e tyre në tregun e punës. Është më mirë të njohësh tregun e punës se sa të rrish në kafe duke bërë llogje. Ka një faturë prej 24 milionë eurosh”, tha Basha.
12 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)