Ndaj sulmeve dhe tentativave të pushtetit qendror për të gjetur ndonjë parregullsi në Shtëpinë Botuese Logos-A, si hakmarrje se gjoja kjo shtëpi botuese gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare ka financuar një parti të re politike, kanë reaguar profesorët universitar, Ali Pajaziti dhe Salajdin Saliu. Sipas tyre ky është një atak ndaj kulturës shqiptare që bëhet me qëllime të ulëta për politikë ditore.
“Atak ndaj kulturës elitare shqiptare, ndaj një universiteti alternativ, ndaj vlerave që kanë shumëfishuar produktet e dijes dhe shkencës nga lexuesi ordiner deri te studimet doktorale. Është ndërhyrje në një shtëpi të dijes që është simbol i cilësisë botuese, që është konfirmuar nga autoritete gjithandej, që ka arritur të jetë padiskutueshëm njëshi në sferën e publikimeve si nga forma ashtu edhe nga përmbajtja. Është prekje në sedrën tonë kulturore, në një markë të shqiptarëve të Maqedonisë që është krijuar në dekada. Logos ka arritur të rrokë trendet botuese globale dhe të bashkëpunojë me botuesit më prestigjioze botërore si Brill, Sage, Princeton etj”, ka thënë profesori universitar Ali Pajaziti.
Profesori, Salajdin Saliu thotë se institucionet shtetërore në vend se të ndihmonin shtëpitë botuese ose të paktën mos t’i pengonin në misionin e tyre human, po bëjnë sulme të ulëta për qëllime politikash ditore.
“Në kohën kur institucionet europiane përpilojnë politika kulturore për ta ndihmuar librin, duke mundësuar lehtësime të shumta tatimore, mundësi më të madhe qarkullimi etj., këtu ndodh e kundërta. Institucionet shtetërore në vend se të ndihmonin shtëpitë botuese ose të paktën mos t’i pengonin në misionin e tyre human, po bëjnë sulme të ulëta për qëllime politikash ditore. Për çdo njeri të librave janë lajme të trishta sulmet dhe presionet ndaj shtëpisë botuese ‘Logos -a’, njëra nga më prestigjiozet në hapësirën shqiptare, që përherë ka treguar respekt të madh për autorin. Fatkeqësisht kjo praktikë e ka ndjekur dhe po e ndjek në vazhdimësi librin shqip. Sulmet e këtilla tregojnë shkallën e ‘lirisë’ në vend”, ka thënë profesori universitar Salajdin Saliu.
Logos – A është një ndër shtëpitë më të mëdha botuese mbarëshqiptare që ka ka publikuar një mijë tituj, 900 autorë dhe tetë milionë kopje librash. Kohëve të fundit pushteti VMRO – BDI ia ka mësy kësaj shtëpie botuese duke përdorur inspektiorët e Drejtorisë për të Hyra Publike dhe inspektorët e institucioneve të tjera.
Anila Limani /SHENJA/