Organizata Joqeveritare “Zani” nga Kumanova i ka bërë thirrje qytetarëve që më datë 15 shkurt në ora 10:00 të mblidhen para Gjykatës Themelore në Kumanovë, ku edhe pritet të fillojë seanca për rastin e katër vjeçarit Almir Aliu. “Tubimi para gjykatës nuk do të jetë protestë, por detyrë e të gjithë qytetarëve me qëllim që drejtësia për 4 vjeçarin Almir Aliu të ndahet sipas ligjit dhe agresori të marr dënimin e merituar”, thuhet në komunikatën e organizatës Joqeveritare “Zani”.
Katër vjeçari Almir Aliu vdiq si pasojë e shtypjes me veturë nga i akuzuari Boban Iliç natën e 25 qershorit të vitit 2016. Në seancën e 15 shkurtit, përveç të akuzuarit për vrasje Boban Iliç, para trupit gjykues do të dalin edhe 3 të akuzuarit për dhunë, përfshi këtu edhe babain e Almirit, Sedat Aliun.