Edhe kjo po na ndodhë në Maqedoni. Ndonëse Ministria e Kulturës e ka poshtëruar deri në pikë të fundit kulturën shqiptare, duke mos mbështetur asnjë projekt me interes shqiptar dhe ka disa vite që SHB “Logos-A” nuk merr asnjë mbështetje nga kjo ministri, sikur të mos mjaftonte kjo, këto ditë pushteti është vërsulur me krejt arsenalin e mundshëm që ta zhbëjnë Logosin. Nuk ka ditë të Zotit që atje nuk paraqitet ndonjë inspektor i policisë financiare, i Drejtorisë së të Ardhurave Publike, i Ministrisë së Kulturës, i ndonjë agjencie e drejtorie tjetër, gjithë kjo me të vetmin qëllim që Logosi të rrënohet. Dhe, të gjithë ata që shkojnë në Logos – sipas drejtuesve të saj – të zënë ngushtë nga turpi, thonë se janë të detyruar ta mbikëqyrin Logosin nga funksionarët e lartë të BDI-së, të cilët i urdhërojnë të gjejnë ndonjë parregullsi në Logos-A, që të mund t’ia vënë drynin. Madje, edhe maqedonasit që shkojnë për këtë detyrë në Logos-A, deklarojnë se janë të detyruar ashtu, sepse funksionarët e BDI-së u kanë kërkuar “vëllezërve” të VMRO-së që ta shkatërrojnë Logosin. Sipas tyre, kjo bëhet për shkaqe politike, ngase dikush nga Logosi në zgjedhje e paska mbështetur një parti politike, që nuk është BDI. Ky qenka “gjynahu” i vetëm që kjo shtëpi botuese është vënë nën llupë! Megjithatë, drejtuesit e Logosit thonë se nuk duan në asnjë rast të kërkojmë mëshirë nga askush, sepse ata thonë “para ligjit jemi të pastër si loti, por opinioni duhet ta dijë këtë presion që na bëhet.” Pas kësaj diktature 10-vjeçare, tashmë kjo ka filluar të marrë përmasa marramendëse: kështu “shpërblehet” edhe botuesi shqiptar që për 100-vjetorin e Shtetit Shqiptar i dhuroi 100 mijë libra falas për të gjitha bibliotekat shqiptare në të gjitha trojet, kështu “shpërblehet” botuesi që i bëri lektyrat shkollore shqipe, të cilat edhe sot përdoren në shkollat shqipe, kështu “shpërblehet” botuesi shqiptar që i ia dhuroi mbi 50 tituj të librave shkollore nxënësit shqiptar dhe që i botoi mbi 1.000 tituj të ndryshëm në gjuhën shqipe në 25 vite. Dhe, lajmi më i keq nuk është se po ndodhë kjo, sepse Logosi është mësuar të ballafaqohet gjithnjë me policinë, sepse në Maqedoni ky ka qenë çmimi i mbrojtjes së kulturës shqiptare, por lajmi më i keq është se këtë sot e bëjnë të a.q. shqiptarë të BDI-së për hesape të imagjinuara politike. Po e bëjnë ata që dikur u ushqyen nga populli shqiptar, ata që u mbajtën me bukë nëpër shtëpitë shqiptare, ata që erdhën në pushtet duke u ndihmuar e shëruar nëpër spitale të ndryshme nëpër botë edhe falë drejtuesve të Logosit, madje edhe duke ua ndihmuar pushtetet lokale. Dhe, pas të gjitha këtyre shërbimeve, ata sot duan ta zhdukin edhe këtë botues shqiptar. E dhimbshme është kjo, por nuk është e habitshme, sepse ata që lejuan të bëhet “Shkupi 2014”, nuk e kanë për dert edhe nëse zhduket Logos-A. Sepse, etërit e tyre ideologjikë dikur e ndaluan fjalën e lirë, e ndaluan fenë dhe e terrorizuan një popull të tërë. Sidoqoftë, drejtuesit e Logosit shprehen optimistë: “Ne jemi këtu që t’i premtojmë shqiptarit të Maqedonisë se, ashtu siç nuk ka mundur të na gjunjëzojë UDB-ja e Jugosllavisë e DBK-ja e Gligorovit, nuk do ia dalë të na shkatërrojë as pushteti i sotëm antishqiptar. Ne që i mbijetuam të gjitha dhe nuk u ndalën në prodhimin e kulturës shqiptare, e dimë se kjo rrufë do të kalojë shpejt dhe pas saj do të mbetet vetëm hiri e pluhuri i atyre që me kaq devotshmëri i shërbyen armikut të kulturës shqiptare në Maqedoni.”, shprehen ata.
Data 07.05.2025
Aktuale
- Ishulli i rrezikshëm i gjarpërinjve ku nuk lejohet të shkelë njeriu
- Përfundon takimi i krerëve të VLEN-it me Mickoskin, Taravari largohet nga Qeveria
- VLEN i mbyll derën e Qeverisë Taravarit: S’ka vend për aleatë të BDI-së
- Taravari për VLEN: S’ia vlen as të reagosh!
- Të diplomuarit nga Az’hari i famshëm kërkojnë sqarim nga Myftina e Shkupit për “Imamin shqiptar”
- Izet Mexhiti njofton hapjen e ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Riad
- Sherri kishte nisur disa ditë më parë! Policia zbardh dinamikën e dhunimit të efektivit në Kukës! Identifikohet një prej autorëve
- Maqedonia e Veriut do të hapë ambasadë në Riad të Arabisë Saudite