Johanes Han sonte ateron në Shkup. Eurokomisari për zgjerim, në Maqedoni vjen për të marrë pjesë në takimin ministror kushtuar energjetikës. Sipas informacioneve, pas takimit, Han do të takohet edhe me liderët e partive politike në vend. Informacionet jozyrtare flasin se takimet do të fillojnë në orët e mbrëmjes, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ato të zgjasin deri në mëngjes.
Sipas profesorit universitar dhe ish ambasador i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin, çdo vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duhet të jetë i lumtur kur një diplomat evropian vjen në vizitë.
“Kësaj here, ai vjen në vizitë me qëndrime për të cilat shpresojmë të jenë të favorshme dhe në drejtim të zgjidhjes së krizës në Republikën e Maqedonisë”, u shpreh Nano Ruzhin, profesor universitar.
Analisti dhe profesori universitar Mersel Bilalli konsideron se Han do t’i bartë qëndrimet tanimë të njohura të Bashkimi Evropian sa i takon formimit të qeverisë e cila duhet të ketë mbështetje të gjerë dhe opozitë konstruktive.
Hera e fundit kur komesari për zgjerim erdhi në vizitë në Shkup ishte në tetor të vitit të kaluar. Ai në paraqitjen e paradokohshme para Asamblesë së Këshillit të Evropës theksoi se pret që në Maqedoni sa më parë të formohet qeveri me mbështetje të gjerë parlamentare e cila do t’i zbatonte reformat urgjente dhe vendit do t’i hapeshin perspektivat evropiane.