Bisedimet ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së për formimin e Qeverisë së re kanë dështuar jo për shkak të Prokurorisë Speciale Publike, por për shkak të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Kështu kanë thënë nga VMRO-DPMNE nëpërmjet një komunikate dërguar medieve, pas takimit të kreut të kësaj partie Nikolla Gruevski, me ambasadoren turke në Shkup, Erkel Kara.
“Në bisedimet me BDI-në, VMRO qenë kundër zbatimit të dygjuhësisë në tërë territorin e Maqedonisë, ne kemi treguar interes që të ketë diskutim në lidhje me disa ide për avancimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve në ata komuna ku jetojnë bashkësi etnike të ndryshme nga maqedonasit ku janë së paku 20 për qind në kuadër të komunës, çështje për të cilën kishte mjaft dallime”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Sipas VMRO-së, Platforma shqiptare është një tentimi për rinegocim të Marrëveshjes së Ohrit. “Bashkësia ndërkombëtare e ndërmori rolin që të jetë një lloj garantuesi i Marrëveshjes së Ohrit. Për këtë shkak VMRO thekson se procedura për rinegocim të kësaj marrëveshje, nëpërmjet të ashtuquajturës platformë mund të shkaktoj që edhe bashkësi tjera të dalin me platformat e tyre, gjegjësisht për rinegocim të Marrëveshjes së Ohrit. Me qëllim që të mos e sjellim vendin në një situatë më të komplikuar, duke e parasysh se rinegocimi i Marrëveshjes së Ohrit është hapje e kutisë së Pandorës, VMRO-DPMNE në bisedimet me BDI-në ka refuzuar të bisedoj për platformën e njëjtë”, thonë po ashtu nga partia e Gruevskit.
Gruevski në takim po ashtu ka thënë se më mirë për vendin është shkuarja në zgjedhje të reja ndërsa kanë shtuar se koalicionimi i LSDM-së me partitë tjera do të jetë heqje dorë nga principi i koalicionimit, fituesi tek maqedonasit me fituesin tek shqiptarët, që sipas partisë do të paraqiste një proces nga i cili nuk ka më kthim mbrapa.
Nga kjo parti nuk kanë dhënë asnjë njoftim nëse këto ditë ka pasur aktivitete ose takime për mandatarin e ri të Qeverisë. Heshtje mbizotëron edhe në LSDM ku ditë më parë drejtues të kësaj partie zhvilluan një takim me tre nënkryetarët e BDI-së, Teuta Arifi, Nevzat Bejta dhe Izet Mexhiti. Bisedimet dhe përpjekjet për formimin e Qeverisë pritet të marrin një dinamikë të re pas vizitës së komisarit Han nesër në Shkup. Në takimet e eurokomisarit me liderët vendorë pritet të përcillet mesazhi i Brukselit zyrtar për formimin e një Qeverie politike dhe stabile që do t’u qaset reformave të nevojshme.
Ajnur Bafqari /SHENJA/