Zhvillimet e fundit politike në Maqedoni, sidomos në skenën politike shqiptare me mos nënshkrimin e platformës shqiptare dhe fshehjen e kësaj gjeje prej opinionit na lënë të dyshojmë në zbatimin e platformës shqiptare fillimisht nga subjektet politike shqiptare e pastaj edhe prej subjekteve politike maqedonase.
Platforma e cila përafroi qëndrimet e subjekteve politike shqiptare, me përjashtim të PDSH-së, u arrit në koordinim të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe me ndihmën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaci.
Duke e pasur parasysh faktin se platforma shqiptare nuk është nënshkruar nga asnjëri subjekt politik dhe kjo gjë po mbahet në fshehtësi, a lihet të nënkuptohet se kjo platformë lehtësisht do të shkelet nga subjektet politike shqiptare?
Analisti politik, Selim Ibraimi, në një prononcim për portalin Tetova1 thekson se historikisht edhe platformat e nënshkruara nuk janë respektuar tek shqiptarët. Kështu që kjo platformë, sipas Ibraimit, është një mjet manovrimi partiak dhe politik.
“Historikisht edhe platformat e nënshkruara në mes partive shqiptare nuk janë respektuar, kështu që në situatën momentale politike, platforma është mjet për mbi manovrim partiak dhe politik.Që kur u shpall se partitë politike shqiptare janë dakorduar për një dokument ,dihej që gjatë bisedimeve me partitë maqedonase do të reduktohej në një marrëveshje të karaktërit partiak.Këtu qëndron rreziku i keqpërdorimit të marrëveshjeve.Si e tillë ,do të kritikohet nga vetë pjesëmarrësit e takimit të Tiranës.Me këtë nivel përfaqësimi politik të negociatorëve shqiptarë dyshoj se platforma do të plotësohet dhe zbatohet nga qeveria e ardhshme.BDI nuk ka kapacitete për ti udhëhequr negociatat me partitë maqedonase.Po ashtu edhe partitë tjera nuk sigurojnë ” mandat” për shqiptarët .Situata rajonale nuk e favorizon Maqedoninë dhe detyrimisht në një të ardhme duhet të organziohet një konferëncë paqësore për Maqedoninë.Derisa nuk është zbatuar gjë nga MO, atëherë dyshimet për mospërmbushje të pikave do të rriten.”, deklaroi Selim Ibraimi për Tetova1.
Përndryshe në emisionin Click Plus, kryetari i RDK-së , Vesel Memedi me ngulm qëndronte prapa tezës se platforma shqiptare është e nënshkruar. Por, origjinali ruhet në fshehtësi. A thua pse?!/Tetova1/