Një gropë e madhe me ujë është mbledhur para Shkollës së Mesme “Pero Nakov” dhe Universitetit të Tetovës me disperzime në Kumanovë. Kjo gjendje e vështirëson në masë të madhe lëvizjen e qytetarëve në këtë pjesë, duke pasur parasysh se kjo është rrugë që lidh fshatrat e Komunës së Likovës. Përveç vështirësisë për depërtimin e veturave, ajo shkakton pengesë edhe për nxënësit e kësaj shkolle. Drejtori i Shkollës së Mesme Ekonomike, Elham Ademi për televizionin Shenja bëri të ditur se kjo nuk është hera e vetme që rruga mbushet me ujë në këtë gjendje, kjo ndodh çdoherë që ka reshje shiu. Gjatë ditës së sotme, sasia e ujit është zvogëluar për shkak të intervenimit të djeshëm nga Ndërmarrja për Ujësjellës dhe Kanalizim, mirëpo në atë pjesë është ende vështirë për të kaluar.
“Gjithnjë kemi pengesa gjatë reshjeve, për arsye se aty kanali nuk funksionin ashtu siç duhet, kështu që përveç që nxënësit kanë problem gjatë lëvizjes së tyre, gjithashtu ajo e pengon edhe komunikacionin përshkak se kjo rrugë është shumë e frekuentuar, i lidh fshatrat e Komunës së Likovës. Kështu që ne kemi intervenuar ditën e djeshme dhe ju kanë përgjigjur pozitivisht ftesës kompania e ujësjellësit dhe kanalizimit dhe është evituar për momentin megjithatë prap ka pengesa, kështu që duhet të intervenohet sërish” , ka deklaruar Elham Ademi, drejtor i shkollës së mesme “Pero Nakov”.
Ademi thotë se kjo nuk është pengesa e vetme, për shkak se kjo rrugë ka nevojë edhe për ndalesa sepse nxënësit shpesh ndjehen në rrezik dhe për këtë, janë drejtuar tek organet kompetente, por siç ndodh zakonisht tha ai, ata përgjegjësinë e largojnë nga vetja dhe e hedhin tek tjetri dhe kështu ka sa vite që kjo problematikë nuk është rregulluar.
“Ne si shkollë gjithashtu kemi bërë kërkesë me shkrim deri tek kryetari i Komunës së Kumanovës, Këshilli Komunal dhe tek Sektori i Punëve të Brendshme, mirëpo përgjigja gjithnjë ka qenë se çdonjëri e eviton përgjegjësinë dhe duke u deklaruar se nuk jemi ne kompetent, është dikush tjetër”, tha më tej ai.
Kjo shkollë numëron diku rreth 500 nxënës.
Emine Ismaili /SHENJA/