Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme takime me qytetarë të Kamzës për të dëgjuar problemet e tyre dhe për të shprehur vizionin e forcës që përfaqëson për qeverisjen e nesërme.
Në një prononcim për mediat, Basha iu bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që më 18 shkurt të mblidhen në një lëvizje mbarëpopullore, siç bëri populli në Rumani për të larguar këtë qeveri dhe për t’u dhënë shqiptarëve një të ardhme më të mirë.
“Më 18 shkurt me një lëvizje mbarëpopullore siç kanë bërë popuj të tjerë të rajonit në Maqedoni dhe Rumani për të krijuar vende pune përmes investimeve që do të sigurojnë të ardhmen e shqiptarëve. Por për të arritur këtë na duhen zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Basha.
Basha u shpreh se familjet shqiptare kanë preku fundin për shkak të skamjes dhe varfërisë. “Janë braktisur pensionistët, familjet në nevojë dhe të pamundurit, ndërkohë që një grup njerëzish janë pasuruar. Katër vjet më parë këtu Rama premtoi se do të bënte gjithçka për të pamundurit, taksat dhe çmimet u rritën, asnjë nga familjet nuk ka pasur ndihmë ekonomike nga shteti. Paratë e faturave janë rritur, nuk kanë shkua për shkolla, spitale dhe as për rritje pensionesh e vende pune. Familjet janë shtyrë drejt dëshpërimit dhe vetëvrasjes”.
7 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)