Ekipet negociuese të LSDM-së dhe BDI-së kanë filluar bisedimet për mbledhjen e 61 nënshkrimeve si kusht për marrjen e mandatit dhe më pas formimin e Qeverisë së re. Takimi i parë u zhvillua sot në Shkup në nivel të nënkryetarëve të partisë. Negociuesit e BDI-së thanë se në tavolinë i kanë shtruar prioritetet e platformës së partive shqiptare, si përdorimin e gjuhës shqipe, reformat në drejtësi dhe integrimet euroatlantike.
“Vendosëm në tryezë prioritetet që lidhen me platformën e partive politike shqiptare dhe gjithsesi me pikat e panegociueshme të BDI-së, t’i përsëris edhe njëherë, që janë, gjuha shqipe dhe zyrtarizimi i plotë i saj, realizimi i reformave të plota në drejtësi si dhe integrimi i plotë i vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian”, deklaroi nënkryetarja e BDI-së, teuta Arifi.
Por nga LSDM-ja thonë se në takimin e sotëm është diskutuar kryesisht për vendimin sipas tyre kundërkushtetues të presidentit Ivanov, i cili e vendosi si kusht mbledhjen e 61 nënshkrimeve para se tia dorëzojë mandatin LSDM-së.
“Diskutuam për situatën aktuale në të cilën Ivanovi vendosi të mos e respektojë Kushtetutën dhe të mos ia dorëzojë mandatin partisë së dytë parlamentare. Vlerësojmë se këto takime dhe këto bisedime do të vazhdojnë, bisedimet po zhvillohen në të dyja partitë, por vlerësojmë se qëllimin e kemi të përbashkët, Maqedonia të dalë nga kjo krizë, një orë e më parë të formohet Qeveri që do të angazhohet për reformat, për jetë më të mirë për të gjithë qytetarët dhe shans për të gjithë që të sigurojnë ekzistencë të vërtetë në atdheun e tyre”, tha nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska.
Palët e lanë hapur mundësinë për vazhdimin e takimeve të tilla, por paraprakisht, për rrjedhën e takimit të sotëm do të njoftohen kryesitë e partive përkatëse të cilët do të vendosin se çfarë më tej. Përveç shqyrtimit në kryesi, nga BDI-ja nuk bënë të ditur nëse do të koordinohen edhe me partitë tjera shqiptare, pjesë të tryezës së përbashkët, lidhur me bisedimet me LSDM-në.
Ajnur Bafqari /SHENJA/