Pas tentativës së dështuar të kreut të VMRO-së, Nikolla Gruevski për formimin e qeverisë, LSDM si parti e dytë fituese e zgjedhjeve tani më veçse ka filluar takimet me përfaqësuesit e BDI-së.
Gjatë ditës së sotme LSDM e përfaqësuar nga nënkryetarja e saj, Radmilla Shekerinska dhe BDI e përfaqësuar poashtu nga dy nënkryetarët e saj, Nevzat Bejta dhe Teuta Arifi kanë realizuar një takim të përbashkët me ç‘rast siç thonë ata kanë shtruar në tavolinë kërkesat dhe ofertat e tyre.
Në dalje nga takimi Shekerinska ka thënë se ky ishte një takim konstruktiv me përfaqësuesit e BDI-së dhe shkëmbim mendimesh për dalje nga situata e vështirë politike.
“Me BDI kemi biseduar se si shteti të del nga situate e cila u imponua nga presidenti Gjorge Ivanov. Këto bisedime do të vazhdojnë, në trupat partiak, deri në takimin e ardhshëm ku do të diskutohet për gjëra më konkrete”, deklaroi Shekerinska pas takimit.
Nga ana tjetër as nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi nuk zbuloi ndonjë detaj për të cilin është negociouar me LSDM-në për formimin e qeverisë. Por ajo ka thënë se për BDI-në është e rëndësishme që në tavolinë kanë shtruar si prioritet platformën e përbashkët të partive politike shqiptare me pikat e panegocioushme.
“BDI është një parti politike e cila gjithmonë ka qenë e hapur për të diskutuar dhe për të pasur bisedime konstruktive, për sa i përket temave dhe prioriteteve të qytetarëve. Për ne ajo që është e rëndësishme është se vendosëm në tryezë prioritetet që lidhen me platformën partive politike shqiptare dhe pikat e pagonecioushme: Gjuha shqipe, realizimi i reformave në drejtës, integrime në NATO dhe BE”, tha Teuta Arifi duke shtuar se vlerësimet përfundimtare do t’i sjell kryesia e BDI-së në krye me Ali Ahmetin.
Ndërkohë që sipas gazetarit dhe analistit politik, Hadi Osmani, takimet në nivel nënkryetarësh janë vetëm formalitet, pasi që në fund vendosin krerët e partive, gjegjësisht Ahmetit dhe Gruevskit. I vetmi shpëtim sipas Osmanit është ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar që të pengojë koalicionimin ndërmjet VMRO-BDI-së, ndryshe s’ka fuqi tjetër që e ndal këtë.
“Tek tre nënkryetarët duket se ekziston vullnet dhe përpjekje për një koalicion me LSDM-në. Por vendimi perfundimtarë do të mvaret nga krerët e tjerë të partisë dhe vetë Ahmeti të cilët kohëve te fundit po bëjnë lojëra për koalicion me VMRO ose zgjedhje të reja me të cilat përsëri duan ti ndihmojnë VMRO-së. Unë mendoj se ata me vullnet të vetë nuk e braktisin Gruevskin dhe Ahmetin, por do të jetë faktori ndërkombëtarë dhe votuesit shqiptarë ata që do ta detyrojnë BDI-në në fund të zgjedh dëmin më të vogël, të konfrontohet me VMRO-në dhe të shkojë me LSDM-në”, deklaroi për Almakos, Hadi Osmani./ Almakos