Analisti politik Todor Pendarov, në një prononcim për Anadolu Agency (AA), foli për situatën aktuale politike në vend, skenarët e mundshëm për daljen nga kriza politike, si dhe marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit nga prizmi i ndikimit të fuqive të mëdha.
Labirinti i krizës politike: Nga ajo politike deri te kriza e mundshme e sigurisë
Analisti Pendarov thotë se kriza politike nuk është vetëm politike, por edhe institucionale, duke shprehur mundësinë që gjithashtu të paraqitet edhe krizë e sigurisë në qoftë se e njëjta vazhdon. “Deri në zgjedhje, kishim krizë politike, kurse tani kemi një krizë institucionale dhe shpresojmë se nuk do të ketë dhe krizë të sigurisë, meqenëse krizat zhvillohen në këtë mënyrë kudo”, shpjegoi Pendarov, duke shprehur shpresën që tek elitat politike të ngjallet përgjegjësia dhe të mos rezultojë deri te kriza në fjalë.
Pendarov thotë se është e vështirë të gjendet përgjigje në lidhje me atë se si do të rrjedhin tutje zhvillimet politike në vend, për arsye se, siç tha ai, ato mjete klasike me të cilat bëhen analiza në një gjendje normale, në Maqedoni është e vështirë të zbatohen në rrethanat e tanishme.
Sipas tij, për t’iu shmangur një paqartësie më të madhe në skenën politike, presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, menjëherë pas zgjedhjeve është dashur t’i ftojë të gjithë liderët politikë dhe ta ofrojë atë formulë të cilën e kërkon aktualisht, mandatari të ketë siguruar shumicën parlamentare para se t’i jepet mandati, duke përmendur disa shembuj të ngjashëm nga rajoni.
“Shembull të tillë kishim kohët e fundit në Kroaci. Presidentja e Kroacisë ftoi liderët e partive politika para se ta ndajë mandatin dhe tha se mandati do t’i takojë atij që do të sigurojë shumicën parlamentare. Kjo gjë nuk ndodhi tek ne, tani kjo kërkohet dhe krijon pakënaqësi”, thekson Pendarov, duke shtuar se ekspertët e së drejtës kushtetuese janë të mendimit se me këtë shkelet kushtetuta dhe krijohet raport selektiv kundrejt partive politike.
Ai shpreson se te liderët politikë do të ngjallet përgjegjësia dhe se ata do të bëjnë atë që nga ta e kërkon presidenti dhe thotë se nëse kjo nuk ndodh, atëherë në lojë ngelet edhe varianti për të shkuar në zgjedhje të reja.
“Ne kemi edhe një problem institucional – nuk kemi parlament. Aktualisht kemi 120 deputetë, të cilëve u është verifikuar mandati. Sipas Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë, parlamenti formohet pas verifikimit të mandateve, kur zgjidhet edhe kryetari i parlamentit. Pa këtë, parlamenti në thelb është diku në gjysmë të rrugës së konstituimit, sepse sipas kushtetutës vetëm parlamenti mund të vetëshpërndahet”, thekson analisti politik Pendarov.
Pas zgjedhjes së Trump, kemi situatë të re në skenën politike ndërkombëtare
Duke komentuar skenën politike ndërkombëtare, Pendarov vlerëson se pas zgjedhjes së Donald Trump për president të Shteteve të Bashkuara, është shfaqur situatë e re në skenën politike ndërkombëtare.
Në mbështetje të kësaj teze, siç thotë ai, janë deklaratat e Trumpit në procesin parazgjedhor, si dhe masat e para që ndërmori si president, sipas tij, i “shtetit më të fuqishëm”.
“Është e qartë se Shtetet e Bashkuara po ndryshojë diç në politikën tyre të jashtme. Personalisht, kjo më duket si forcim i proteksionizmit amerikan, ndërsa, nga ana tjetër, mendoj se Trump po ndjek një politikë që pjesërisht të kujton politikën e Wilsonit pas Luftës së Parë Botërore. Ky është një lloj i izolacionizmit, të paktën deri në Evropë”, vlerëson Pendarov.
Ai është i mendimit se Trump nuk do të heqë dorë nga disa interesa globale që kanë amerikanët, në veçanti Amerika Latine, Lindja e Largët, konkretisht Azia.
“A ka vlerësuar politika e tanishme e Rusisë se tani është koha për ta zgjeruar ndikimin e saj në Ballkan? Ka disa indikacione se kjo është kështu. Mos harroni se Maqedonia dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar marrëveshje për partneritet strategjik. Shpresoj se amerikanët nuk do të heqin dorë nga ajo marrëveshje. Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të kemi asnjë marrëdhënie me rusët. Ne duhet të kemi marrëdhënie shumë të zhvilluara. Ajo është partner i rëndësishëm në çdo aspekt,” thotë Pendarov.
“Rusia dëshiron më shumë ndikim në Maqedoni dhe rajon
Njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë në lidhje me krizën politike në Maqedoni dhe zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare Pendarov i cilëson si përpjekje për ndikim më të madh të Rusisë në Maqedoni dhe në rajon.
Duke iu referuar letrës së kongresmenëve amerikanë për ambasadorin e SHBA-ve në Maqedoni, Jess Baily, në të cilën ata kritikojnë punën e tij dhe siç thonë, veprimet e ndërmarra lidhur me zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare në Maqedoni, pas së cilës pasoi deklarata nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit në të cilën është shprehur mbështetja për ambasadorin amerikan, Pendarov shpjegon se për punën e ambasadorëve duhet të veprojë Ministria e Punëve të Jashtme, e jo ndonjë parti politike, pa marrë parasysh nëse është pjesë e qeverisë apo opozitës.
“Është qesharake që një parti politike të ankohet për sjelljen e një ambasadori. Nëse një ambasador i kalon kufijtë e Konventës së Vjenës, atëherë reagon MPJ, e jo ndonjë parti politike, qoftë ajo në qeveri ose jo,” vë në pah Pendarov.
“Turqia është shembull si përkrahës parimor i Maqedonisë”
Si shembull i përkrahjes parimore për Maqedoninë, analisti politik Pendarov veçon Turqinë, e cila thotë se vazhdimisht mbështet Maqedoninë në mënyrë parimore.
“Në të gjitha dokumentet në kuadër të NATO-s, në qoftë se përmendet emri FYROM, në fusnotë thuhet se Turqia e njeh Maqedoninë me emrin e saj kushtetues. Kjo është marrëdhënie parimore që do të thotë diçka”, theksoi Pendarov, duke shtuar se Turqia shumë herë e ka shfaqur këtë raport ndaj Maqedonisë dhe se çdo qytetar maqedonas duhet ta vlerësojë këtë.
Për të janë qesharake disa nga teoritë që, sipas tij, thonë se Turqia “kërkon të rikthejë Perandorinë Osmane,” duke thënë se vlerëson se Turqia nuk ka aspak nevojë për një gjë të tillë.
“Turqia, duke qenë normale dhe legjitime, dëshiron të ketë ndikim në këtë rajon. Në qoftë se ai ndikim nuk është në kundërshtim dhe nuk e dëmton Maqedoninë apo cilindo vend tjetër, nuk ka problem. Ky ndikim është më së miri të bëhet përmes marrëdhënieve të mira ekonomike dhe politike në të gjitha aspektet, në kulturë, si dhe duke pasur edhe marrëdhënie ndërpersonale, gjë të cilën Maqedonia dhe Turqia e kanë. Ato kanë atë respekt të ndërsjellë,” thotë analisti Pendarov.
Politika folklorike e Ballkanit
Në kuadër të interpretimit të tij mbi situatën politike në rajon, duke marrë parasysh deklaratat e udhëheqësve politikë të Serbisë, Maqedonisë, Shqipërisë dhe të tjerave, ai thotë se politika folklorike e Ballkanit ende nuk është tejkaluar.
“Për fat të keq, kultura politike folklorike e Ballkanit ende nuk është tejkaluar. Kemi ministrin e jashtëm të Serbisë i cili thotë ju e keni njohur Kosovën, ndërsa unë tani e tutje do t’ju thërras FYROM. Është një mentalitet tipik ballkanik që ne nuk e kemi tejkaluar. Kosova nuk është e njohur vetëm nga Maqedonia, por pothuajse nga e gjithë Evropa, me përjashtim të dy shteteve që kanë problem të brendshëm. Në të njëjtën kohë, Serbia dhe Kosova janë duke zhvilluar negociata, të cilat kanë për qëllim jo që Kosova të kthehet në Serbi, por të normalizohen marrëdhëniet. Nuk e di tani si do ta quajnë Malin e Zi, duke qenë se edhe ai e ka njohur Kosovën,” thotë analisti politik, duke e shpalosur qëndrimin e tij.
“Sërish ngjallet përkufizimi: Ballkani është si një fuçi baruti”
Duke shtruar pyetjen nëse në Ballkan kanë përfunduar luftrat dhe nëse më në fund këto troje do të fillojnë të ndërtojnë paqen dhe bashkëpunimin për të harruar Ballkanin si një fuçi baruti, Pendarov thotë se, megjithatë, disa shenja tregojnë se ky përkufizim ngjallet përsëri.
Duke folur për retorikën e përfaqësuesve politikë në rajon dhe duke iu referuar zhvillimeve të fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë në rastin e trenit në të cilin qëndronte mbishkrimi “Kosova është Serbi” dhe i cili supozohej të udhëtojë në Mitrovicë nga Beogradi, sipas analist politik, akti i tillë është “provokim i gjallë”.
“Për shembull, sikur në atë tren të shkruante Kosova është Maqedoni në vend se Kosova është Serbi dhe sikur të mundesha personalisht të vendosja, unë nuk do të lejoja që treni të hyjë në Maqedoni,” thekson Pendarov, i cili nuk thotë se nuk beson deklaratën e kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç, në të cilën ai tha se “nuk e dinte se në të qëndronte mbishkrim i tillë.”
“Unë mendoj se është vetëm një deklaratë politikanësh. Nuk besoj në të. Përpiqen përsëri të bëjnë provokime. Është çështje tjetër nëse me zgjedhjen Trumpit është duke ndodhur një rishpërndarje e marrëdhënieve globale në këtë pjesë të rajonit”, vlerëson ai.
Në kontekstin e ndikimit të fuqive të mëdha në vendet e Ballkanit, ai thotë se vendet e rajonit duhet të kenë parasysh çështjet globale, siç është energjia.
“Vendet e Ballkanit të mos jenë objekt i zgjidhjes së llogarive të fuqive të mëdha”
“Nëse ne nuk jemi të zgjuar dhe të urtë, në fund mund të bëhemi monedhë për zgjidhjen e llogarive të vendeve të mëdha si Amerika dhe Rusia”, thekson Pendarov.
Për të mos ndodhur kjo, shton ai, vendet e rajonit brenda duhet të jenë stabile dhe të kenë politikë të jashtme të qëndrueshme.
Sipas tij, prioritet kyç ngelet ndërtimi i marrëdhënieve miqësore dhe të partneritetit midis vendeve të rajonit, ruajtja e paqes dhe stabilitetit, që janë bazë për të gjitha proceset e tjera të mëtejshme.
Ai deklaroi se për shkak të jostabilitetit në rajon mund të ndodhë të ketë refugjatë, gjë për të cilën ai beson se do të çonte në situata kaotike rezultati i të cilave do të ishte vështir i parashikueshëm.
“Nëse ka jostabilitet në rajon, atëherë do të ketë refugjatë nga vetë rajoni. Atëherë, le të mendojë e gjithë Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare si ta menaxhojë atë krizë,” thekson analisti politik Todor Pendarov për AA.