Institucionet kompetente vazhdojnë të heshtin rreth plasaritjeve të paraqitura në të dyja anët e Urës së Gurit në Shkup. TV SHENJA sot kontaktoi edhe drejtoreshën e Qendrës së Konservimit, Eva Petrova megjithatë as ajo nuk ka dhënë ndonjë përgjigje konkrete mbi këtë çështje. Gjatë një bisede të shkurtër telefonike ajo tha se janë të informuar mbi këtë dhe se kanë bërë inspektim por sipas analizave të tyre nuk e kanë vlerësuar të rrezikshme. Sipas Petrovës, plasaritjet nuk janë të karakterit të cilat mund të sjellin rrezik më të madh në të ardhmen për shembje apo dëmtim më të madh të saj.
“Punimet restauruese konservative në përmendoren e kulturës Ura e Gurit janë zhvilluar në periudhën prej 1995 deri 2005. Plasaritjet janë të evidentuara nga persona profesional dhe të njetjat në kontinuitet ndjeken për ndryshime eventuale. Ato janë paraqitur si rezultat i denivelizimit të kontaktit mes elementeve të harkut dhe pllakave dhe nuk ndikojnë në stabilitetin statik të urës”, tha Petrova për TV SHENJA.
Ndërkohë, nga Ministria e Kulturës dhe Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore heshtin. TV Shenja dy ditë me radhë ka tentuar që të kontaktoj më këto dy institucione, kompetente për mirëmbajtjen e Urës së Gurit, megjithatë deri më tani asnjëra nga këto dy institucione nuk i është përgjigjur pyetjeve nëse janë të informuar për dëmtimin e Urës së Gurit e cila u restaurua para disa viteve, pse kanë lejuar që kjo të ndodhë dhe nëse do të ndërmarrin masa rreth kësaj.
Ura e gurit, apo e njohur ndryshe si objekti me të cilin identifikohet Shkupi ka pësuar plasaritje të dukshme të pllakave nga të dyja anët, duke paraqitur rrezik për t’u shembur. Mbi këtë urë, e cila lidh dy pjesët më të frekuentuara të qytetit, kalojnë me mijëra qytetarë në ditë, ndërsa dëmtimi i saj paraqet rrezik dhe pasiguri për kalimtarët.
Teuta Buçi /SHENJA/
Ura e Gurit, Qendra e Konservimit nuk e sheh të… by tvshenjaofficial