Ambasada e SHBA-së në Shkup nuk komenton kërkesën e VMRO-DPMNE-së e cila dje thirri publikisht këtë ambasadë, të shpejgoj nëse sygjeron se në vend nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe nëse kjo është qëndrimi i administratës së re të SHBA-së.
Në një bisedë të shkurtër telefonike, nga kjo ambasadë për TV Shenja deklaruan se atë që kishin për ta thënë, e kanë thënë dhe se nuk kanë asgjë për të shtuar nga qëndrimi i së hënës.
Ambasada e SHBA-së një ditë pas mossuksesit të VMRO-DPMNE-së për të formuar qeveri deklaroi se janë duke e mbikëqyrur procesin e formimit të Qeverisë dhe bëri thirrje që partite të vazhdojnë bisedimet për formimi e Qeverisë së re.
Ndërkohë, VMRO DPMNE një kërkesë të ngjashme i ka adresuar edhe Brukselit. Nga ky subjekt pyetën dje publikisht Brukselin dhe kërkuan shpjegim në bazë të cilës pjesë të Kushtetutës së Maqedonisë, BE pret Presidenti Ivanov të përcaktoj lider për formimin e “një qeverie sa më e gjerë e mundshme”.
Kësaj kërkese i ka dhënë përgjigje zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, e cila në një deklaratë për disa media tha se formimi i Qeverisë politike sa më e zgjeruar që është e mundur ka të bëjë me nevojën për të pasur konsensus të gjerë politik dhe koalicion të gjerë, me çka vendi do të mund të përballet në mënyrë efikase me shumë sfida të cilat pasojnë.
“Të gjithë partitë e mëdha janë të pajtimit për agjendën reformuese të BE-së dhe pajtohen se rruga drejt BE-së është qëllim strategjik i vendit. Nëse ata punojnë sëbashku drejt këtij qëllimi të përbashkët, do të kenë defakto shumicë kushtetuese që është me rëndësi për rrugën euroatlantike të vendit. Dhe për këtë, BE përshëndet përpjekjet e presidentit Ivanov të takohet dhe të kyç në proces të gjithë partitë politike”, ka thënë Kocijançiq.
Kocijançiq ka theksuar se zbatimi i reformave urgjente, Marrëveshja e Përzhinos dhe zgjidhja e çështjeve bilaterale kërkon përkushtim të fuqishëm nga të gjitha partitë.