Ministri Ditmir Bushati reagon për projekt-rezolutën për vendin tonë, në Komitetin e Çështjeve të Jashtme të Parlamentit Europian. Ministri tha se ajo që thuhet qartësisht në projekt-rezolutë, është çka kemi përsëritur vijimësisht pas marrjes së dritës së rekomandimit nga Komisioni për hapjen e negociatave: progresi në reformën në drejtësi, veçanërisht zbatimi i ligjit të vettingut është thelbësor për uljen në tryezën e bisedimeve të anëtarësimit.
“Përcolla me kënaqësi mbështetjen e gjerë që mori projekt-rezoluta për vendin tonë, në Komitetin e Çështjeve të Jashtme të Parlamentit Europian. Dëshiroj të vlerësoj kontributin e raporterit Knut Flenckenstein në paraqitjen e një raporti të balancuar dhe inkurajues, që konfirmon arritjet në reformat e ndërmarra nga qeveria, të evidentuara më parë edhe nga Komisioni Europian dhe Vendet Anëtare të BE-së dhe nxit progresin e tyre të mëtejshëm.
Ajo që thuhet qartësisht në projekt-rezolutë, është çka kemi përsëritur vijimësisht pas marrjes së dritës së rekomandimit nga Komisioni për hapjen e negociatave: progresi në reformën në drejtësi, veçanërisht zbatimi i ligjit të vettingut është thelbësor për uljen në tryezën e bisedimeve të anëtarësimit.
Me kënaqësi veçoj trajtimin pozitiv që merr politika jonë e jashtme në këtë projekt-rezolute ku vlerësohet dinamizmi konstruktiv, kontributi në bashkëpunimin rajonal dhe qëndrimi i konsoliduar sa i përket linjëzimit të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
Jemi të vetëdijshëm për sfidat që kemi përpara gjatë këtij viti. Rekomandimet e paraqitura në këtë projekt-rezolutë meritojnë trajtim të kujdesshëm, pasi secili prej tyre synon përmirësimin e të ardhmes së qytetarëve tanë.
Presim miratimin e rezolutës në seancën plenare në Strasburg në 15 shkurt, me bindjen se ajo do të gjejë përsëri një mbështetje të gjerë ndërmjet të gjithë anëtarëve të Parlamentit Europian”, shprehet Bushati.
1 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)