Edhe pse Presidenti nuk ka kompetenca të mëdha kushtetuese në Maqedoni për shkak se në vend nuk kemi sistem presidencial, presidenti Gjorgje Ivanov viteve të fundit u tregua se punon keq për shtetin. Kështu u shpreh analisti politik, Todor Pendarov në emisionin ‘Arena’ në TV SHENJA.
“Derisa ai njeri thjesht pret prej dikujt, dihet prej kujt, ti tregojë se çfarë të bëjë, shteti gjithnjë e më shumë fundoset dhe pyetja është deri kur do të shkojë kjo fundosje, pasi kaluan 25 vite, anise Maqedoninë nuk e shoh 25 vite e këtej por e shoh në një periudhë më të gjatë. Edhe në këtë studio kam përmendur kushtetutat e ’74 dhe ‘91 pikërisht nga shkaku se ne nuk dijmë të ballafaqohemi me të kaluarën, e harrojmë historinë”, tha Pendarov.
Sipas tij, Kushtetuta edhe sot nuk po respektohet sikur në vitin 1991 kur në mënyrë kushtetuese pushteti i atëhershëm ua shkurtoi të drejtat shqiptarëve, ndërsa për këtë fenomen presidenti Ivanov hesht.
“Me kushtetutën e ’91 ua shkurtuam të drejtat bashkëqytetarëve tanë shqiptarë që ata i kishin me kushtetutën e ’74. Tani sërish kemi lojë me kushtetutën dhe paramendoni ekspertë kushtetues thonë se mandatin nuk guxon ta fitojnë partia e dytë e cila ka vetëm dy deputetë më pak, kurse ky person që në sajë të votave tona rri në rezidencën presidenciale në Vodno tash hesht dhe thotë se do të konsultohet me institucionet, përkatësisht me Gjykatën kushtetuese”, tha më tej Pendarov.
Ndërsa ekspeti juridik Osman Kadriu u bëri apel partive politike shqiptare që të bëjnë koalicion me LSDM-në pasi tashmë ra nga kombinimi, t’i dorëzojnë nënshkrimet Presidentit dhe ai do të jetë i detyruar ta caktojë mandatarin nga ky koalicion. Në këtë mënyrë sipas Kadriut zgjidhet çështja me kryetarin e parlamentit, dhe menjëherë më pas edhe çështja e Qeverisë. Kjo sipas Kadriut është zgjidhja e vetme dhe përgjëgjësinë për këtë duhet ta mbajnë partitë politike shqiptare. /SHENJA/