Zëvendëskryeministri, Niko Peleshi në një prononcim për mediat pas mbledhjes së kryesisë së PS të thirrur me urgjencë mbrëmjen e sotme nga kryeministri Edi Rama u shpreh se deklaratat e bëra nga ish-ministri i drejtësisë, Ylli Manjani menjëherë pas shkarkimit të tij nga detyra dëshmuan më së miri pse shkarkimi i tij ishte i drejtë.
Peleshi e cilësoi mbledhjen e sotme si të zakonshme, ndërsa deklaroi se PS ka vetëm një qasje strategjike brenda koalicionit, me qëllim çuarjen përpara të reformave të mëdha të nisura nga kjo qeveri, edhe pse sipas tij në koalicion mund të ketë parti që kanë një qasje taktike gjë që sipas tij mirëkuptohet plotësisht nga PS
“Mbledhja e sotme i vlen organizimit të PS për të përçuar përmes strukturës së vet mesazhin e nevojës së mbështetjes së reformave tona. Jemi duke u përgatitur për zgjedhjet që do ta çojnë PS në mandatin e dytë. Përmes strukturës sonë kemi nevojë të përçojmë në komunitet mesazhin tonë. Mund të rikonfirmoj se kemi vetëm një qasje strategjike, por mirëkuptojmë çdo parti tjetër në koalicion që kanë qasje taktike”, tha Peleshi.
31 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)