Drejtori i Inspektoratit të punës është Alajdin Avziu nga radhët e BDI-së, e jo kuadër i VMRO-DPMNE-së. Ky fakt ka ngjallë dilemën në opinion, por edhe në qarqe partiake në BDI, nëse kryetari i BDI-së Ali Ahmeti dhe bashkëpunëtori i tij Musa Xhaferi, u kanë dërguar inspeksione Izet Mexhitit dhe Teuta Arifit për shkak se kundërshtuan koalicionin VMRO-BDI, thonë burime partiake, transmeton Gazeta Lajm.
Ndërkohë drejtori Avizu ka thënë për Alsat-M se kontrollet nëpër komuna nuk kanë prapavijë politike. Sipas tij bëhet fjalë për kontrolle të rregullta për respektimin e ligjit për mbrojtje nga konsumimi i duhanit dhe se inspektime të tilla janë bërë në disa komuna të vendit.
“Kontrolle kemi kryer në Tetovë, Manastir Veles, Strumicë, Prilep dhe në 15 institucione në nivel qendror. Po grumbullohen informacionet të cilat do të shpalosen para Këshillit të inspekcionit. Kontrollet bëhen me urdhër të këshillit të inspeksionit, me siguri për shkak të ankesave nga qytetarët se në administratë konsumohet duhan. Nuk ka konotacion politik dhe nuk e di se përse kështu lidhen gjërat. Ja, konkretisht në Tetovë kontrolli është zbatuar dhe çdo gjë është në rregull, pasi nuk ka shkelje të ligjit”, tha Alajdin Avziu, drejtori i inspektoratit shtetëror të punës.
Avziu demantoi zërat se inspektorët e tij kanë qenë në komunën e Çairit. Kryetari komunës Izet Mexhiti thotë se ka pasur paralajmërim për vizitë nga inspektorët e inspekcionit të punës, por se nuk kanë ardhur.
Para 10 ditëve policia financiare ka zhvilluar kontroll në komunën e Gostivarit e cila udhëhiqet nga nënkryetari i BDI-së, Nevzat Bejta. Nga policia financiare theksuan se kontrollet janë kryer për hetuar parregullsitë eventuale për ndërtimin e rrugës nga fshati Tunçovishtë deri në Çegran. Por, kontrollet në komunën e Tetovës dhe Gostivarit si dhe paralajmërimi për në komunën e Çairit, në këtë periudhë me tension kur pritet formimi i qeverisë, në opinion u interpretua si presion politik nga VMRO-DPMNE ndaj kryetarëve të komunave nga radhët e BDI-së, Teuta Arifi, Nevzat Bejta dhe Izet Mexhiti të cilët ishin më të zëshëm dhe kundërshtarë të drejtpërdrejtë për koalicion me partinë e Nikola Gruevskit.