Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shprehu shqetësim për situatën politike të krijuar në Maqedoni, të shprehur prej vitesh edhe me partnerët ndërkombëtarë. Meta vuri në dukje se Maqedonia është sot nyja më delikate e rajonit tonë dhe ka vuajtur prej disa vitesh, nga një krizë politike, institucionale, por edhe zgjedhore, për fat të keq.
“Burimi i kësaj krize, në fakt, ka qenë lufta e ashpër apo konflikti midis dy partive kryesore maqedonase”, – tha ai.
Meta tha zgjedhjet e fundit u pranuan nga të gjitha forcat politike dhe kjo, është gjë pozitive për Maqedoninë, për ne dhe për të gjithë rajonin tonë, në mënyrë që të mbyllet periudha e kontestimit të zgjedhjeve dhe institucioneve.
“Kam përshëndetur platformën e forcave politike shqiptare, që është një hap pozitiv, e cila rrit detyrimin e tyre për të bashkëpunuar më shumë me njëra-tjetrën në interes të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe jo thjesht raportit të njërës apo tjetrës forcë politike me pushtetin dhe qeverinë. Është shumë e rëndësishme që ato të vijojnë të bashkëpunojnë akoma më tej për realizimin e kësaj platforme në të ardhmen”, theksoi ai.
Kryetari i Kuvendit nënvizoi se forcat politike shqiptare në Maqedoni duhet të forcojnë rolin e tyre të bashkëpunimit në Maqedoni për të çuar përpara dhe për të realizuar platformat e tyre dhe për stabilitetin e Maqedonisë.
“Është shumë e rëndësishme, gjithashtu, që konflikti i deridjeshëm, që ka ardhur kryesisht për shkak të luftës së ashpër me njëra-tjetrën të dy forcave politike maqedonase, të mos transferohet në të ardhmen në një konflikt midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Ndaj, është shumë e rëndësishme që forcat politike shqiptare, duke forcuar dhe duke rritur bashkëpunimin e tyre për të çuar përpara dhe për të realizuar konkretisht dhe jo vetëm në letër këtë platformë, njëkohësisht, me shumë përgjegjshmëri dhe mençuri të jenë një faktor kyç për stabilitetin e Maqedonisë, sepse janë dy elemente shumë të rëndësishme që mund të shkojnë përpara vetëm në mënyrë paralele: stabiliteti i Maqedonisë dhe të drejtat e shqiptarëve, dhe roli i shqiptarëve si faktor jo vetëm për stabilitetin, por edhe për integrimin evropian dhe euroatlantik të këtij vendi fqinj dhe tepër të rëndësishëm për ne dhe për të gjithë rajonin tonë”, theksoi Meta.