Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka zgjedhur orët e vona pas mesnatës së djeshme për t’ju përgjigjur lajmeve që nisën të qarkullonin në disa portale për një shkarkim të tij nga detyra ose dorëheqje nga posti i ministrit.
Përmes një statusi të publikuar në faqen e vet në Facebook, Manjani sqaron se as është shkarkuar, as është larguar dhe as ka ndërmend të largohet nga detyra e ministrit të drejtësisë
“Mirëmbrëma,
Miq e të njohur më informuan këtë mbrëmje të diele, që portalet kanë shkruar mbi dorëheqjen e më pas shkarkimin tim nga Qeveria. Këto lajme lidhen edhe me anulimin e një konference për shtyp timen.
Dëshiroj tu informoj se:
- Nuk kam dhënë dorëheqje nga detyra! S’më ka shkuar ndërmend një gjë e tillë!
- Nuk kam asnjë njoftim zyrtar që të jem shkarkuar!
- Konferencën për shtyp e kisha thirrur për të anoncuar paketën e ndryshimeve në legjislacionin Penal pas dakortësimeve që kam marrë nga kolegët e mi ministra dhe aktorë të tjerë të interesuar!
E anulova këtë gjë për arsye thjesht shëndetësore!
Natën e mirë!”, shkruan Manjani.
30 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)