Ndonëse gjatë prezantimit të programit vjetor për vitin 2017, sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Behixhudin Shehabi, u lavdërua se ky program përfshinë shumë projekte që ndërlidhen me promovimin e kulturës shqiptare jashtë vendit, faktet flasin ndryshe nëse analizojmë projektet që do të realizojnë Qendrat Kulturore të Republikës së Maqedonisë në Nju Jork dhe në Sofje.
Shehabi tha se bëhet fjalë për një program rekord sa i përket numrit projekteve në 20 vjet, ku sipas tij, theksi është vënë tek veprimtaria botuese dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Mirëpo, duke i numëruar projektet që artistët shqiptarë do t’i realizojnë nëpër Qendrat Kulturore të Maqedonisë jashtë vendit, Shehabi ato i përmblodhi në dy fjali të shkurtra:
“Teuta Hoxha-Imeri do të prezantohet në ekspozitë në Qendrën Kulturore të Maqedonisë në Nju Jork. Po këtu, projekt do të realizojnë edhe Ali Sinani dhe Burim Ajdini. Në Qendrën Kulturore në Sofie do të prezantohet edhe Duo Skupi me Ermal Memetin dhe Jeta Starova Memetin. Po ashtu, edhe Ilirian Beqiri e Bashkim Mexhiti do të ekspozojnë veprat e tyre artistike”, ka deklaruar Behixhudin Shehabi, Sekretar shtetëror në ministrinë e kulturës
Këto ishin vetëm 4 projekte që artistët shqiptarë do t’i realizojnë nëpër Qendrat Kulturore jashtë vendit, nga të paktën 29 projekte që do të realizohen gjithsej. Në përqindje, ato janë më pak se 14 për qind. Bazuar në të dhënat e ministrisë së kulturës, Qendra Kulturore e Maqedonisë në Nju Jork, do të realizojë gjithsej 14 projekte, 6 nga të cilat janë nga veprimtaria muzikore, ndërsa 8 të tjera nga artet figurative. Ndërkohë, Qendra Kulturore e Maqedonisë në Sofje do të realizojë 16 projekte, duke përfshirë veprimtarinë botuese, muzikore dhe folklorike, artin figurativ dhe projekte tjera.
Ndonëse, vërehet diskriminimi edhe kur është në pyetje numri i projekteve, diskriminimi mund të jetë edhe më i madh, nëse do të mund të analizoheshin edhe kostoja e tyre, në krahasim me koston e përgjithshme. Mirëpo, si zakonisht, këto kosto nuk bëhen të ditura nga Ministria e Kulturës.
Gjithashtu, indikativ është fakti se Maqedonia ka Qendra Kulturore vetëm në Nju Jork dhe Sofje, ndërsa pritet që këtë vit të hapet edhe një e tillë në Stamboll. Deri më tani, Ministria e Kulturës nuk ka ndërmarrë ndonjë iniciativë për hapjen e Qendrave të Kulturës në Prishtinë, apo në Tiranë.