Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka arritur në selinë e BDI-së, në Reçicë të Vogël, ku kryesia e kësaj partie po diskuton në lidhje me hapat e ardhshme që do të ndërmerr sa i përket koalicionimit.
Ahmeti para gazetarëve ka thënë shkurt se bisedimet janë të rënda, dhe se edhe sot pritet që të zgjasin.
Mandatari Nikolla Gruevski, njëherazi edhe kryetar i VMRO-DPMNE -së, parti e cila në zgjedhjet e dhjetorit fitoi 51 mandate, ka afat deri sot në mesnatë për të formuar shumicë parlamentare me të cilën do të votonte përbërjen e re qeveritare. Nga ajo që dihet zyrtarisht, Nikolla Gruevski, ka realizuar vetëm një takim me kandidatin potencial për qeverinë e re, Ali Ahmetin, dhe siç thuhet nga të dyja palët, takimi ka qenë në frymën e analizës së rezultateve zgjedhore dhe nuk është biseduar për qeverinë.
Gruevski sot është në pritje të përgjigjes nga Ahmeti, partia e të cilit sot gjithashtu duhet të vendos nëse do të koalicionoj me VMRO-në e Gruevskit, apo LSDM-në opozitare të Zaevit.
Pikërisht për këtë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot mblidhet sërish në përpjekjen e radhës për të vendosur nëse do të koalicionoj me VMRO-në e Gruevskit apo LSDM-në opozitare.