Familjet e prekura nga vërshimet e 6 gushtit të vitit të kaluar e që jetojnë në Lagjen Inxhikovë të Shkupit janë lënë në harresë nga institucionet shtetërore. Disa prej familjeve që vizitoi ekipi i Alsat- M janë duke bërë jetë mizore, pa kushte elementare për jetë, me mure të lagura, dysheme të shkatërruara, dhoma pa ngrohje, mungesë e ushqimit dhe veshmbathjeve. Banorët shprehen të revoltuar për kompensimet që u janë ndarë me të cilat nuk kanë arritur asgjë të bëjnë në riparimin e shtëpive të tyre.
“Shumë keq është, ftohtë, pa rrymë. Kulmi është duke u rrëzuar, lagështi kemi në çdo vend, fëmijët janë të sëmurë, unë jam e sëmurë. Fëmijët si po rrinë kështu në të ftohtë? Çka të bëjmë, duhet të durojmë. Çka keni arrit të bëni me paratë që i keni marrë? Vetëm dollapët i kemi ble, tjetër kurrgjë nuk kemi arrit të bëjmë”.
“A jetohet kështu, këtu e kemi një foshnje, me ato parat që na kanë dhënë a të blejmë ushqim a ta ndërtojmë shtëpinë. Dru nuk kemi, me këtë koftor jemi duke u ngroh. A është kjo mirë për neve, nuk është mirë, dikush ka mar më shumë dikush më pak. Çka të bëjmë pa rrymë. Ju betohem se kërkojmë bukë nëpër kontejner, po i mbledhim shishet e plastikës dhe po i shesim”, shprehen banorët e fshatit.
Ata që ndjenin më shumë të ftohtin ishin fëmijët të cilët këmbëzbathur ecnin nga njëra dhomë në tjetrën. Përveç veshmbathjeve ata kishin nevojë edhe për ushqim.
“Tash në dimër po ngrohemi me shishe të plastikës, shikoni shishet këtu. Dru nuk kam, ndonjëherë më japin fqinjët. Rrymën nuk po arrij ta paguaj, nuk kam para, nuk marr as ndihmë sociale. Shteti e kompensoi vetëm djalin, ai është i ndarë. E keni parë çfarë lagështie është brenda shtëpisë, do të rrëzohet shtëpia, 14 anëtarë jemi në shtëpi, asnjë nuk jemi të punësuar. Na kanë ndarë vetëm 500 euro, unë do t’ja jap atij 500 euro atij dhe ta shoh nëse do të mund të gjendet”, shprehet një banor tjtër i Inxhikovës.
Për kompensimin e dëmeve, Qeveria e ndau 2 miliardë e 400 mijë denarë të cilat ende nuk janë ndarë nëpër të gjitha familjet e përmbytura. Për shkak të kësaj shumë familje të Hasanbegut dhe Inxhikovës vazhdojnë të jetojnë në shtëpi gjysmë të rrënuara dhe në konviktin e studentëve Tome Stefanovski-Seniç./
https://www.youtube.com/watch?v=R3RJQ1ixhFY