
“Të shpëtojmë Kodrën e Diellit” është iniciativa e disa qytetarëve të cilët kanë shprehur revoltën e tyre për gjendjen e tanishme të kësaj qendre turistike. Hamdi Sulemani, tha që të vetëdijshëm për rëndësinë shëndetësore, ekologjike, turistike dhe ekonomike që ka Kodra e Diellit, u mor iniciativë që të fillojnë një fushatë për shkak të lënies pas dore të kësaj qendre nga ana e institucioneve.
“Të brengosur nga moskujdesi, mosinvestimi, anashkalimi, lënia pas dore, përdhosja e qendrës turistike, dikur ndër më të njohurat e ish-Jugosllavisë, nga ana e institucioneve lokale dhe shtetërore. Ne, qytetarë të vullnetit të mirë, që dëshirojmë ta shohim Kodrën e Diellit sa më mirë, më në rregull, më të pastër, më të përparuar, më të shfrytëzueshme në askept ekologjik, turistik, rekreacioni, sporti, etj, ngrejmë zërin për gjithçka të keqë që i ndodhë këtij kapaciteti turistik”, thotë Hamdi Sulemani.
Ai më tutje tha se ka 15 vite që “Kodra e Diellit” nuk ka pasur asnjë investim, veç kësaj ajo as edhe nuk mirëmbahet.
“Të mbledhur nën organizimin qytetar ”Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” shprehim hidhërimin tonë për katandisjen e kësaj qendre turistike që i është bërë tash e 15 vite me radhë, duke e lënë pa asnjë investim, pa asnjë rregullim infrastrukturor, pa asnjë mirëmbajtje, pa asnjë projekt konkret në drejtim të forcimit të kapaciteteve pranuese turistike”, theksoi Sulemani.
Ata gjithashtu thanë së nuk do të ndalen më kaq, por kjo iniciativë do të vazhdoj me takime dhe konsultime me qytetarët, pa lënë anash edhe protestat konkrete. Prandaj ata i bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve, intelektualëve, juristëve, ekonomistëve, ekspertëve e turizmit që të i bashkëngjiten dhe të ofrojnë kontributin e tyre në drejtim të shpëtimit të Kodrës së Diellit.
Emine Ismaili /SHENJA/
“Të shpëtojmë Kodrën e Diellit”, iniciativë e… by tvshenjaofficial