Kryeministri i vendit Edi Rama ka zgjedhur rrjetin social Facebook për t’ju përgjigjur deklaratës së ministrit të mjedisit, Lefter Koka i cili një ditë më parë e cilësoi policinë e shtetit bandë që po bashkëpunon me trafikantët dhe që po bën “lojë të fortësh” me LSI-në.
“Pas anketimit të bërë disa muaj më parë nga Komisioni Europian, Policia e Shtetit konfirmohet përsëri si institucioni më i besuar i shqiptarëve në Indeksin e Besimit tek Institucionet”, shkruan Rama përmes një postimi në FB.
Një ditë më parë, Presidenti i vendit, Bujar Nishani vendosi të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pas letrës së dërguar në drejtim të tij nga kryetari i kuvendit, Ilir Meta ku shprehej shqetësimi i këtij të fundit për mosarrestimin e të shumëkërkuarit Klemend Balili.
Ndërkohë që replikat në distancë mes ministrave të PS dhe LSI për punën e policisë së shtetit sa i përket luftës ndaj kanabisit kanë qenë të shpeshta gjatë muajve të fundit.
Disa muaj më parë, ministri i drejtësisë, Ylli Manjani hodhi idenë që situatën ta marrë në dorë ushtria nëse policia nuk ia del dot në luftën kundër kanabisit në vend.
28 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)