Shqiptarët mund të shndërrohen në shumë pak vjet popullsia shumicë në Maqedoni, sipas statistikave të dhëna dje nga Enti Shtetëror i Statistikës në Maqedoni. Kjo, pasi shqiptarët shtohen me rreth 6 mijë veta më shumë sesa maqedonasit çdo vit, prej së paku 10 vitesh, sipas Entit. Rreziku i “pushtimit demografik” të Maqedonisë nga shqiptarët ka frikësuar akademikët maqedonas dhe politikën e vendit fqinj, të cilët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.
Statistikat
Problemet demografike në Maqedoni priten të jenë prioritet i politikave të qeverisë së Maqedonisë. Problemet demografike në Maqedoni priten të jenë prioritet i politikave të qeverisë së Maqedonisë.
Maqedonasit janë tejet të brengosur me numrin e vogël të lindjeve si dhe rrezikun që për një periudhë jo të gjatë kohore të mbeten popull pakicë në shtetin e tyre.
Nga të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës në Maqedoni kuptojmë se, gjatë vitit 2010, kanë lindur 12.535 fëmijë nga prindër maqedonas, kurse kanë vdekur gjithsejtë 14.298 maqedonas.
Pas barazimit lindjeve dhe vdekjeve, del se numri i maqedonasve etnikë zvogëlohet për 1.763 veta. Ndërkaq e kundërta ka ndodhur tek shqiptarët, në po të njëjtin vit, kanë lindur 7.200 fëmijë nga prindër shqiptarë, dhe kanë vdekur 3.073 shqiptarë, që do të thotë se janë shtuar për 4.127 veta.
Akademikët e alarmuar maqedonas
Akademia e Artit dhe Shkencave të Maqedonisë është shumë e brengosur me zhvillimet e fundit të proceseve demografike në Maqedoni.
Si elemente problematike që ndikojnë në demografinë e Maqedonisë potencohet fakti për numrin e vogël të lindjeve të grave nga nacionaliteti maqedonas, ndërkohë që gratë shqiptare, lindin shumë më tepër fëmijë.
Siç mëson agjencia e lajmeve INA, akademikët maqedonas vazhdojnë të kërkojnë nga qeveria e Maqedonisë përpilimin e politikave demografike të cilat do të parandalojnë natalitetin tek shqiptarët.
Analistët shqiptarë theksojnë se rritja e nataliteti tek shqiptarët në Maqedoni është pasojë e shumë faktorëve nga e kaluara, si standardi i ulët i jetesës, papunësia, arsimimi, profesioni, tradita etj.
Ndërsa kreu i partisë më të madhe shqiptare e njëherazi aleat i Nikolla Gruevskit, në qeveri e ka cilësuar këtë mundësi, si një teori antishqiptare. Pak kohë më pare, në një intervistë për “Standard”, Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim kishte deklaruar se “më duhet të them se ka kështu paragjykime prej të cilave ne distancohemi dhe i vlerësojmë si antishqiptare dhe naziste që burojnë që nga koha e Garashaninit, Cubriloviçit e Andriçit. Shqiptarët e Maqedonisë të ardhmen e tyre nuk e ndërtojnë mbi bazën e natalitetit të diskutueshëm apo mbi numra dhe raporte. Ne jemi realitet në Maqedoni. Shqiptarët janë komuniteti i dytë më i madh në këtë shtet multietnik”.
Tentative e dështuar
Vetëm disa vite më pare, qeveria maqedonase kaloi një ligj që stimulonte me anë të përfitimit ekonomik lindshmërinë në ato komuna ku lindshmëria ishte nën 2,1 fëmijë për femër. Kjo përfshinte të gjitha komunat me shumicë maqedonase, por përjashtonte të gjitha ato shqiptare, me përjashtim të dy prej tyre.
Pak kohë më vonë Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi dispozitën e ligjit për sigurimin shëndetësor me arsyetimin se ajo binte ndesh me kushtetutën e vendit duke e cilësuar si diskriminues. Sipas gjykatës, ligji nuk mund të jetë selektiv pasi stimulimi i natalitetit duhet të vlente për të gjithë qytetarët e vendit që do të thotë për çdo grua, pa marrë parasysh vendbanimin e saj.
Nëse shqiptarët do të bëhen apo jo shumicë në Maqedoni, në një të ardhme të afërt, ndoshta mund të hamendësohet vetëm pak muaj më vonë. Kjo, pasi një shenjë e ndryshimeve demografike do të jetë regjistrimi i popullsisë që pritet në vjeshtë të këtij viti. A do të kalojnë shqiptarët, 25.4 për qind të popullsisë sa kanë qenë deri tani? Me shumë gjasa po, sipas analistëve, por sa dhe në çfarë përhapjeje gjeografike, mbetet për tu parë.?
Data 13.05.2025
Aktuale
- Nëntë vjet nga anëtarësimi i Kosovës në FIFA
- “Che Guevara i Afrikës”: Pse udhëheqësi i Burkina Fasos ka pushtuar zemrat në botë
- ZGJEDHJET/ Drejt fundit, numërohen 4712 kuti votimi! Thellohet diferenca mes PS dhe PD, me 235 mijë vota! Garë e fortë për vendin e tretë
- Qarku Vlorë/ PS kryeson me shumicë votash, PD-ASHM e dyta! “Shqipëria Bëhet” forcë e tretë
- Mexhiti për Taravarin: Ti nuk solle ndryshimin, ti e pengove atë
- Mexhiti-Taravarit: Ti nuk e solle ndryshimin, por e pengove atë
- Takim me shoqatat shqiptare nga Lugina e Preshevës në Zvicër
- Carlo Ancelotti, trajner i ri i Brazilit?